“Mister DH Albania” sapo përfundoi Tenderin e Zgjedhjeve. - Gazeta Express
string(54) "mister-dh-albania-sapo-perfundoi-tenderin-e-zgjedhjeve"

Ermal Mulosmani

28/05/2020 16:31

“Mister DH Albania” sapo përfundoi Tenderin e Zgjedhjeve.

Ermal Mulosmani

28/05/2020 16:31

Damian Gjiknuri, i njohur në publik si “Mister DH Albania”, pas skandalit që shpërtheu në fund të vitit 2018, është kthyer sërish në qendër të skenës politike. Megjithë dështimin spektakolar, publik, në tentativën për të paguar me 20 milionë Euro një kompani fantazmë me dokumente të falsifikuara, ai riciklohet  tashmë “të tenderojë” votën e shqiptarëve.

Lexo Edhe:

Fakti që “Mister DH Albania” ka guxuar të dalë në sytë e opinionit publik, përsëri, pas gjëmës së Unazës së Re, tregon të paktën dy gjëra. E para që afera e Unazës së Re nuk është çështje e Damianit por ai duhej sakrifikuar përkohësisht  për të mbuluar përgjegjësitë e tjetërkujt. E dyta tregon  për besimin absolut që shefi i madh i Partisë Socialiste ka tek aftësitë e tij në garantimin e një ligji zgjedhor që mbron interesat e ngushta të Partisë.

Në sytë e atyre njerëzve që ndjekin aktualitetin politik në vend, përzgjedhja e “Mister DH Albania” si kryesues i Reformës Zgjedhore, ka përcaktuar edhe fatin e kësaj Reforme. Po shohim të njëjtin film dramatik, me të njëjtët aktorë, të njëjtin subjekt me shpresën se do të kemi një finale tjetër. Një naivitet fëmijënor.

“Mjeshtri DH Albania” ia arriti që për 7 a 8 muaj të flasë përditë në Televizion se “jemi të hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor” por “e kemi lënë në një fazë të dytë pasi kërkon ndryshime kushtetuese” duke dhënë një shpresë te të gjithë ata njerëz që duan të votojnë individët e preferuar të tyre e jo ata të Kryetarit të Partisë. Ishte koha kur sapo kishte dalë në skenë dhe donte të jepte imazhin e djalit të mirë, bashkëpunues, tolerant jo të atij “problematik”.

Ndërkohë, në një intervistë televizive të ditëve të fundit, Mjeshtri tha bash krejt të kundërtën e asaj që kishte deklaruar atëherë. “Ne si Parti Socialiste jemi për sistemin aktual. Propozimi i Ambasadës amerikane për sistemin danez të çon te një sistem më proporcional dhe, kjo gjë, të çon në maxhoranca të pasigurta si Kosova që iu deshën muaj për të nxjerrë rezultatin zgjedhor”… Pasi u hallakat nëpër arsyetime pa asnjë bazë (ata njerëz që e propozojnë sistemin e listave të hapura pikërisht nga rasti i Kosovës janë entuziast), Mjeshtri nxori dhëmbët: (min 17.40)

“Kur ka shumë mendime ka një vendimmarrje, Komisioni nuk është listë dëshirash.  Atëherë, që të ndodhë ndryshimi i sistemit, ato grupime partish t’u thonë shqiptarëve t’i votojnë për këtë qëllim, të fitojnë maxhorancën dhe të imponojnë një referendum”.

Në fakt nuk ka asnjë dyshim që votimi rajonal me lista të mbyllura është sistemi më ideal për Kryetarët e Partive dhe më i ndyri për zgjedhësit. Do ishte çudia më e madhe në botë nëse Partitë politike, me vullnetin e tyre, të vendosnin ta ndryshonin. Entuziasmi këtë radhë vinte nga angazhimi i Ambasadës Amerikane që propozonte një sistem hibrid (danez) i cili lejonte pak përzgjedhje listës së Kryetarit. Pra mundet t’ia prishte paksa oreksin. Gjithashtu, një farë besimi ekzistonte nga deklarimet e Kryetarit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017. Atë kohë Lulzim Basha deklaronte me të madhe: “Sistem proporcional kombëtar me lista të hapura apo sistem të pastër maxhoritar” duke ngjallur shpresën e një populli që voton në bllok një listë që nuk do të donte ta votonte.

Tashmë Basha dhe Rama notojnë në të njëjtën varkë. “Buqeta e dëshirave” të tyre është e paprekshme. Listat do jenë të mbyllura. Kaq shumë janë demonizuar kërkuesit e listave të hapura sa etiketohen nga militantët e Partisë Demokratike se “po bëjnë lojën e të majtëve”. Po çfarë të majtësh po thoni mor të ngratë? A e shihni se bash kryemjeshtri i së majtës po i mbron listat e mbyllura si sistemi perfekt zgjedhor? Po ju të paktën bëni sikur jeni kundër, sikur nuk keni çfarë të bëni se nuk keni shumicën.

Teoria sipas së cilës “nuk është sistemi zgjedhor” problemi më i madh i Reformës Zgjedhore por të tjera, janë një hipokrizi e nivelit më të lartë. Në fakt, zhdukja e “Sistemit të Kryetarit” do të ishte e mira më e madhe që do i bëhej votuesve. Ideja që “votuesi edhe mund të blihet” e “Kryetari nuk u blekërka” na e mbushi Parlamentin me kriminelë me dosje. Në fund të fundit, edhe ashtu, votuesi listën e Kryetarit do votojë. Thjesht një pavarësi relative kërkon. Për shembull të votojë një kandidat që Kryetari e ka vendosë në numrin 50 përpara atij që i njëjti e ka vendosur në numrin 3.

Por jo! Nuk ka mundësi. Mjeshtri na sugjeroi të bëjmë një Parti, të shpallim platformën, të fitojmë zgjedhjet dhe të kërkojmë Referendum! Kaq cinikë janë ndaj kërkesës së popullit për të zgjedhur nga një listë që gjithsesi e ka kufizuar Kryetari i Partisë.

Partia Demokratike dhe Lulzim Basha humbën rastin të bënin sikur ishin për lista të hapura. Edhe sikur të ishte ashtu, nuk do i pyeste kush. Por do të bëheshin simpatikë në sytë e votuesve dhe ndoshta edhe do të shtonin ndonjë votë. Përkundrazi, ata zgjodhën të ishin aleatë me pushtetin duke humbur një masë të madhe mbështetësish. Unë besoj që abstenimi do të jetë masiv. Nëse pjesëmarrja në votime në 2017-ën ishte 46,77%, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm nuk do e mbërrijë as 35% të numrit të përgjithshëm të votuesve.

Mjeshtri erdhi aty pikërisht për të mbrojtur sistemin aktual.

Jepu çfarë të duan por mos ndrysho sistemin. Të tjerat i rregullojmë”. 

Kjo ishte porosia e madhe.