Miroslav Lajcak e merr detyrën emisarit special të BE’së në dialogun Kosovë - Serbi? - Gazeta Express
string(80) "miroslav-lajcak-e-merr-detyren-emisarit-special-te-bese-ne-dialogun-kosove-serbi"

Gazeta Express

21/02/2020 17:17

Miroslav Lajcak e merr detyrën emisarit special të BE’së në dialogun Kosovë – Serbi?

Gazeta Express

21/02/2020 17:17

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, është emëruar sot  Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar burime brenda Brukselit.

Për një zhvillim të tillë sot Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, ka njoftuar edhe Kosovën dhe Serbinë.

Lexo Edhe:

Herët në mëngjes Borell ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, të cilit ia ka treguar emrin e emisarit të BE’së për dialogun Prishtinë-Beograd. Përveç Vuçiqit, Borell ka telefonuar edhe presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilët i ka njoftuar për një emërim të tillë.

“Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi se ky emërim pasqyron rëndësinë që BE-ja dhe ai personalisht i kushtojnë stabilizimit të rajonit dhe përparimit në rrugën drejt BE-së. Josep Borrell kujtoi se ai mbetet personalisht i angazhuar dhe i përkushtuar fuqimisht për të mbështetur perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për të luajtur rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë’, thuhet në një komunikatë nga zyra e Borellit.

Se është kontaktuar nga BE’ja dhe se i është ofertuar posti i Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, e kishte pranuar ditë më parë edhe vetë Lajçak, duke thënë se me shumë gjasë do të mbetet në Ballkan në rolin e tij prej diplomati. E Borell të hënën kur priti liderët e Ballkanit tha se emërimi i emisarit special zyrtarisht do të ndodhë në muajin mars pasi të përgatitet gjithçka rreth mandatit të tij.

Ndërkohë emrin e Lajcakut si emisar special për dialogun nuk e parapëlqejnë njohësit e rrethanave në Ballkanin Perëndimor. Dy ekspertët gjerman, Toby Vogel dhe Bodo Weber, thonë se Lajçak është një diplomat i dështuar dhe se BE gabon në rast se e emëron.

Ndërkohë amerikani, Daniel Serwer, thotë se Lajcak nuk shihet që mund t’i ndihmojë dialogut duke kujtuar premtimin e pa mbajtur se Sllovakia do ta njohë pavarësinë e Kosovës./GazetaExpress/