Ministritë tona i paguajnë 40 nëpunës rreth 200 mijë euro pa punuar asnjë ditë


Gazeta Express
13 Qershor 2019 16:59

Mbi 40 nëpunës të komunitetit serb kanë marrë paga nga buxheti i shtetit pa dalë asnjë ditë në punë. Ata ishin të punësuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në bazë të një vendimi të Ekzekutivit të bazuar në marrëveshjen e Brukselit. Por, në fund ata janë shpërblyer për mos punën e tyre. Sipas Auditorit, vetëm për pagat e këtyre zyrtarëve janë shpenzuar rreth 200 mijë euro.

Arjeta Shabani

Derisa në vend ende ka punëtorë që punojnë një muaj rresht për një pagë prej 150 euro, të tjerë marrin para pa punuar asnjë ditë te vetme të vitit. Shteti po i shpërblen ata për mos punën e tyre.

Bëhet fjalë për rreth 40 zyrtarë të komunitetit serb të cilët ishin të punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”.

Gjithë këta nuk janë lajmëruar në punë për asnjë ditë të vetme gjatë gjithë vitit të kaluar, por pavarësisht kësaj në xhirollogarinë e tyre për çdo muaj janë derdhur para.

Së paku kështu thuhet në raportet që ka nxjerrë Zyra Kombëtare e Auditimit për këto dy ministri.

Zyrtarët serbë që ishin të punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk ishin paraqitur në punë në Spitalin e Mitrovicës, por që ishin paguar nga Ministria sipas kontratës.

“Në MSh pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 22 nëpunës të komunitetit serb ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.. Zyrtarët e lartcekur në vitin 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës ku ishin përcaktuar me aktemërime, siç i obligon Ligji I punës Nr. 03/L-212 dhe kontrata e punës, përderisa ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre në shumë të plotë”, thuhet në raportin e Auditorit për MSH’në.

Në Ministrinë e Shëndetësisë i kanë thënë Gazetës Express se punësimi i tyre është bërë në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e strukturave paralele serbe në veriun e Kosovës dhe integrimin e tyre në institucionet publike.

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shuarjen e strukturave paralele serbe në veriun e Kosovës dhe integrimin e tyre në institucionet publike, vendim ky që ka vlejtur për të gjithë sektorët dhe jo vetëm për shëndetësinë, në janar të vitit 2015, 22 pjesëtarë të komunitetit serb kanë lidhur kontratë pune me afat të pacaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, bazuar në Ligjin e Punës”, thonë në këtë ministri.

Nga Divizioni për Komunikim me Publikun në MSH, deklarojnë se këta zyrtarë janë të punësuar në institucionet shëndetësore në veri të Mitrovicës, derisa thonë se aty përfshihen një stomatolog, infermierë dhe teknikë mbështetës.

“Ata i kanë nënshkruar kontratat bashkë me “Deklaratën para integrimit” me të cilën deklarohen se janë të gatshëm të transformohen dhe integrohen në kuadër të institucioneve shëndetësore të Kosovës, duke u pajisuar me dokument identifikimi të Republikës së Kosovës dhe duke aplikuar edhe për licencim në MSh”, thuhet në përgjigjet e MSH’së drejtuar Gazetës Express.

Por, kjo nuk është Ministria e vetme në të cilën punonjësit marrin paga pa asnjë ditë pune. Një rast i ngjashëm është edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në krye me Valdrin Llukën. Edhe aty ka zyrtarë të komunitetit serb që paguhen për mospunën e tyre.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 18 zyrtarë të komunitetit serb kanë vazhduar të marrin pagan ë MZHE pa u lajmëruar fare në punë.

“Marrëdhënia e punës për tetëmbëdhjete (18) zyrtarët është formalizuar në vitin 2016, në departamentin për integrime evropiane, si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal. Ne nuk kemi asnjë dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që janë ngarkuar në MZHE”, thuhet në raportin e Auditorit.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në MZHE që të marrë informacione se pse paguhen këta zyrtarë, dhe nëse do të merret ndonjë masë ndaj tyre, por në këtë institucion nuk kanë qenë të gatshëm që të përgjigjen. Express është ende në pritje të përgjigjeve.

Ndërkohë, mospuna e këtyre zyrtarëve i ka kushtuar goxha shtrenjtë buxhetit të shtetit. Sipas Auditorit, vetëm për pagat e këtyre zyrtarëve gjatë vitit 2018, Shteti ka paguar rreth 200 mijë euro.

Për këtë gjendje, ZKA’ja i lë fajtore të dy Ministritë, meqenëse nuk ka bërë përpjekje për t’i angazhuar.

“Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e punëtorëve dhe përpjekjeve të pamjaftueshme të ministrisë për t’i angazhuar dhe për shkak se nuk ka kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë nëpunësit publik do të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës”, thuhet në raportet e Auditorit për këto Ministri.

ZKA’ja konsideron se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim buxheti si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ky institucion rekomandon udhëheqësit e këtyre dy ministrive që të gjejnë arysen e mosvijimit në punë të këtyre punëtorëve, dhe të zgjidhin problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë, ose në të kundërtën, të ndërpresin pagesat e pagave të tyre të parregullta.

“Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri rekomandohet çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresoj edhe në Qeveri”, rekomandon Auditori.

Punësimi i këtyre zyrtarëve ishte bërë me një vendim të Qeverisë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtja civile” në veriun e Mitrovicës, ministria ka qenë e obliguar t’i sistemoj 18 punëtorë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Rregullorja Nr. 05/2010 e orarit të punës në shërbimin civil, neni 7 pika 1 përcakton se ”gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës, çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik” dhe pika 2 thekson se “mospërfillja e orarit të punës paraqet shkelje disiplinore”./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart