Ministri serb reagon pasi u ndalua të shfaqet në Bujanoc filmi ruso-serb për Haradinajn


Gazeta Express
18 Prill 2019 11:38

Ministri serb i Kulturës, Vladan Bukosavljeviq, ka reaguar pasi është anuluar shfaqja e filmit ruso-serb “Kufijtë e Ballkanit” në Bujanoc.

Ai ka thënë se anulimi i shfaqjes së atij filmi në Bujanoc është një lloj censure, që tregon tentimin e politikës për të pasur ndikim në kulturë.

Sipas tij ndikime të tilla të politikes në kulturë asnjëherë s’kanë qenë të mira.

“Ne nuk e dimë nëse është një ndalim, por projekti që ishte paralajmëruar të shfaqej është anuluar. Një ndalim i tillë ka ardhur si pasojë e disa manipulimeve politike, dhe një gjë e tillë mbetet të shihet”, ka thënë Vukosavljevic, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.

Në filmin ruso-serb tregohet një rrëfim se çfarë kanë bërë trupat ruse në Aeroportin e Prishtinës, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s.

Ndërkohë sa i përket skenave me ushtarë të UÇK-së, disa mediume të cilat merren me propagandë në Serbi, kishin thënë se njëri prej aktorëve që luan rolin e ushtarit të UÇK-së, përngjan shumë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, dhe atë se çfarë ai ka bërë gjatë luftës.

Dje producenti i këtij filmi kishte treguar se ka anuluar shfaqjen e tij në Bujanoc, shkaku i tensioneve që mund të shkaktojë. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart