Ministri në detyrë e pranon dështimin në PISA, thotë se ka pritur më shumë - Gazeta Express
string(73) "ministri-ne-detyre-e-pranon-deshtimin-ne-pisa-thote-se-ka-pritur-me-shume"

Ministri në detyrë e pranon dështimin në PISA, thotë se ka pritur më shumë

Gazeta Express

03/12/2019 11:26

Ministri i Arsimit në detyrë, Shyqri Bytyqi, ka komentuar rezultatet e testit PISA për vitin 2018, që e rangon Kosovën të tretën nga fundi në listën mes 79 vendeve të botës. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet, raporton Express.

Në një konferencë për media, Bytyqi ka thënë se kanë pritur rezultate më të mira.

Lexo Edhe:

“Ne kemi pritë të kemi një rezultat më të mirë, por nuk ka rezultate më të mira. Ne si Ministri kur kemi marrë mandatin, kemi bërë përpjekje për organizim sa më të mirë të këtij testi. Nuk janë ato rezultate që ne kishim dashtë me i pa sot. Kemi lëvizje pozitive në matematikë dhe në pjesën e leximit krahasuar me vitin 2015. Por, kemi rënie te shkenca”, ka thënë Bytyqi.

Për rezultatet negative në shkencë, Bytyqi ka thënë se mund të ketë ndikuar edhe pjesëmarrja në test në formë digjitale.

“Tani se cilat janë arsyet e këtyre rezultateve na duhet kohë që t’i analizojmë edhe raportet e secilës shkollë pjesëmarrëse dhe secilit nxënës. Ne kemi finalizuar një raport të përgjithshëm, që besojmë ta bëjmë publik gjatë javës. Në rezultatet në shkencë, ka ndikuar edhe pjesëmarrja për herë të parë në formë digjitale, krahasuar me Maqedoninë e cila nuk është fut në formë digjitale”, tha Bytyqi.

Ndryshe, programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”.

Vendi ynë ka marrë pjesë në këtë test dy herë, derisa edhe në vitin 2015 ishte renditur e treta për nga fundi i tabelës.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365. Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378. /Gazeta Express