Ministri Gashi: 9 medaljet e reja në taekwondo, sukses i jashtëzakonshëm i sportit të Kosovës


Gazeta Express
18 Shtator 2019 14:54

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim fituesit e medaljeve të Taekwondos të cilët e përfaqësuan Kosovën në kampionatin ballkanik “Samokov 2019” të Bullgarisë, ku prej atje Kosova është kthyer me 9 medalje me grupmosha të ndryshme.

Me këtë rast, ministri Gashi fillimisht i uroi sportistët për marrjen e çmimeve dhe tha se “ky rezultat i jashtëzakonshëm të cilin e keni treguar në Kampionatin Ballkanik dhe këto nëntë medalje që ia keni sjellë Kosovës vjen si rezultat i punës dhe angazhimit tuaj prandaj zotohem se do ta keni mbështetjen e ministrisë së sportit pavarësisht se ku jeni të kategorizuar”.

Tutje ministri Gashi tha se me rregulloret e ministrisë dhe me anë të ligjit për sponsorisime, sportistët do të kenë mbështetje të fuqishme ngase rruga ligjore është hapur për këtë gjë.

“Ne do të fillojmë ndryshimet e rregulloreve në mënyrë që t’i japim mundësi edhe garave të ndryshme ballkanike. Kemi pasur sportistë që kanë sjellë medalje por që rregulloret, komunat dhe ministritë e kaluara nuk i kanë mbështetë dhe ky do jetë një zotim i yni që të reflektojmë në aspektin ligjor dhe atë financiar pavarësisht se ku janë të kategorizuar në sport dhe të gjitha këto medalje të përfshihen edhe në shpërblimet shtetërore”, tha ministri Gashi.

“Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat që i kaloni, në ditët në vazhdim do të zgjidhen këto probleme dhe ju do të keni përkrahje të veçantë pasi një sport si ky që avancon më rezultate te shkëlqyera meriton përkrahje”, shtoi ministri.

Ndërkaq kryetari i Federatës së Taekwandos e Kosovës, Gani Krasniqi, falënderoi ministrin Gashi për përkushtimin dhe kërkoi nga ai dhe ministria që udhëheq mbështetje dhe përkrahje më të madhe financiare.

“Pa punën e juaj dhe përkushtimin e juaj nuk ish arrite ky rezultat por ne kërkojmë të kemi mbështetje edhe në anën financiare”, tha Krasniqi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart