Millosh Zeman s’e njeh Kosovën, por Thaçi ka udhëtuar në Çeki për ta ndjekur ndeshjen


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 16:31

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur në Plzen për t’i ofruar mbështetje nga afër ekipit të vet kombëtar në përballje me Republikën e Çekisë, presidenti i së cilës Millosh Zeman u deklarua javë më parë kundër pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë.

Kosova është mysafire e Çekisë sonte në orën 20:45 në Doosan Arena, në një ndeshje vendimtare për fatin e të dy kombëtareve për kualifikim në Kampionatin Evropian Euro 2020, raporton Gazeta Express.

Sot gjatë ditës u spekulua nga mediat vendore se lideri i Kosovës hasi në telashe në kufi, se gjoja autoritetet çeke nuk i kishin ofruar mbrojtje dhe siguri pasi ta ketë kaluar kufirin rrugës në stadiumin e Vitoria Plzen për ta përcjellë ndeshjen e Kosovës.

Por, burime të Gazetës Express nga Presidenca mësojnë se Thaçi ka mbërritur në Plzen dhe do ta mbështetë Kombëtaren në afër në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme ndonjëherë, nëse jo më të rëndësishëm.

“Thaçi mbërriti në Plzen në mbështetje të Kombëtares”, kanë thënë burime të gazetës brenda Presidencës.

Rreth një muaj më parë, presidenti i Çekisë Zeman kërkoi nga vendi që ta tërheqë vendimin për njohjen e Kosovës si vend të pavarur, por kishte marrë përgjigje negative.

Çekia është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën menjëherë pas pavarësimit të saj më 2008 dhe vazhdon ta njohë. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart