Militao: Do të jap gjithçka në fushë për të shkruar histori me Real Madridin


Gazeta Express
10 Korrik 2019 15:15

Eder Militao mezi po e pret fillimit e sezonit të ri, të cilin do ta nisë si lojtar i Real Madridit. Të mërkurën pasdite, ai u prezantua nga klubi madrilen në “Santiago Bernabeu”.

Braziliani u transferua nga Porto dhe edhe pse për blerjen e tij ishte ditur tash e disa muaj, ai ishte detyruar të presë deri më tani për t’u prezantuar pasi që kishte qenë me Kombëtaren e Brazilit në Kupën e Amerikës, transmeton Gazeta Express.

“Jam shumë i lumtur që do të luaj për klubin më të mirë në botë. Për shkak të ndihmës së familjes sime, unë kam mundësi të luaj këtu dhe dua ta falënderoj presidentin për besimin e tij”, ka thënë Militao.

“Tifozët e Real Madridit mund të sigurohen se unë do të lë gjithçka në fushë për të shkruar histori me Real Madridit”.

Edhe presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, e mbajti një fjalim gjatë këtij prezantimi, duke e mirëpritur mbrojtësin në kryeqytetin spanjoll.

“Fitorja është pjesë e ADN-së së këtij klubi dhe askush nuk dorëzohet këtu. Sot është një ditë e rëndësishme për ne pasi që jemi duke e mirëpritur njëri ndër mbrojtësit më të mirë në botën e futbollit”, tha Perezi.

“Ai vjen si vetëm 21-vjeçar, ai është përshtatur shpejt me futbollin evropian dhe brenda pesë muajve ai ishte bërë pjesë e mbrojtjes më të mirë të Portugalisë me Porton”.

“Kuraja dhe sjellja e tij do t’i ndihmojnë atij të ketë sukses, po ashtu siç do të bëjnë edhe milionë tifozët që i kemi përreth botës. Eder, ti je lojtar i Real Madridit. Kjo është shtëpia jote dhe kurrë mos harro se vlerat e Real Madridit do të jenë gjithmonë me ty”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart