Milani s’dorëzohet për top katërshe të Serisë A, fiton ndaj Fiorentinës


Gazeta Express
11 Maj 2019 22:25

Milani ka arritur të sigurojë fitore me epërsi minimale 1:0 në ndeshjen kundër Fiorentinës, e cila u zhvillua sot në stadiumin Artemio Franchi, në kuadër të xhiros së 36-të të Serisë A.

Kuqezinjtë e Gennaro Gattusos e kërkuan me patjetër këtë fitore pasi që janë në kërkim të pozitës së katërt në tabelën e Serisë A, për ta siguruar një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, raporton Gazeta Express.

Këto tri pikë kaq të rëndësishme, Milanit ia dha Hakan Calhanoglu me golin e tij të shënuar në minutën e 35-të të ndeshjes, që u asistua nga Suso.

Ky gol mjaftoi për Milanin, pasi që pjesën e dytë të ndeshjes, që të dyja skuadrat e humbën nga një mundësi të artë për të shënuar gol.

Milani e dominoi këtë ndeshje edhe me posedim të topit e edhe me raste të krijuara.

Tri pikët e kësaj ndeshjeje bëjnë që Milani të ketë vetëm tri pikë më pak sesa Atalanta, që radhitet në pozitën e tretë. Interi është në pozitën e katërt me një pikë më shumë sesa Milani, mirëpo Zikaltrit e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në anën tjetër, kjo është disfata e 11-të radhazi për Fiorentinën, e cila tani radhitet në pozitën e 12-të. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart