Milaim Zeka propozon 3 emra që mund të dëshmojnë për keqpërdorimet në PTK


Gazeta Express
15 Maj 2019 10:05

Sot është mbajtur mbledhja e Komisionit Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala. Është përpiluar lista e dëshmitarëve që do të intervistohen nga Komisioni Hetimor.

Milaim Zeka, anëtar i këtij komisioni parlamentar, ka propozuar 3 emra. Sipas tij, ka ekzistuar një departament në PTK që është quajtur departamenti kundër mashtrimeve në PTK.

“Ky departament është shuar pikërisht nga nënshkrimi i kontratës së Z-Mobile dhe Sim2Sim. Ata persona që kanë qenë në këtë departament janë: Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj. Besoj se këta persona kanë me na dhënë informata shumë të rëndësishme për komisionin”, është shprehur Zeka.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri, ka propozuar që në listën e të intervistuarve të ftohen edhe drejtorët e kompanive me të cilat PTK-ja ka nënshkruar kontrata.

“Lista është bërë nga propozimet nga anëtarët e komisionit dhe kjo listë do të përmirësohet nëse ka nevojë për shtim të emrave. Në listën e dëshmitarëve për tu intervistuar të thirren të gjithë drejtorët e kompanive me të cilët PTK-ja ka nënshkruar kontrata”, ka thënë Ymeri

Visar Ymeri ka thënë se nga Sindikata e Punëtorëve të PTK-së, duhet të thirret vetëm kryetari i tanishëm i Sindikatës.

Në pikën e dytë të diskutimit është kërkuar që të vazhdohet pa prezencën e mediave për shkak se diskutohet çështja e ekspertëve që do të kontraktohen për të hetuar gjendjen e PTK-së dhe ata janë emra të përveçëm. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart