Mijëra persona protestojnë në përkrahje të policisë në Hong Kong


Gazeta Express
20 Korrik 2019 15:18

Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur të shtunën në Hong Kong për t’i dhënë përkrahje policisë dhe për të bërë thirrje që t’i jepet fund dhunës pas një vargu protestash të dhunshme kundër projektligjit për ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Protesta e quajtur “Ruajeni Hong Kongun”, vjen një ditë para protestës së paralajmëruar kundër qeverisë dhe kundër trajtimit që ajo po ia bën projektligjit për ekstradim të qytetarëve të Hong Kongut në Kinë.

Policia ka bërë thirrje për qetësi para protestës së të dielës, ku pritet të ketë forca të shumta të sigurisë. Autoritetet i kanë larguar pengesat e metalta, të cilat janë përdorur më parë nga protestuesit për t’i bllokuar rrugët.

Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar nga propozimi i projektligjit për ekstradim në Kinë dhe ka thënë se ai është i vdekur, por kundërshtarët e saj janë të kënaqur vetëm me dorëheqjen e saj.

Protestuesit, shumica e të cilëve ishin të moshës së mesme ose të vjetër, nuk u zmbrapsën nga shiu dhe stuhia dhe u mblodhën në parkun “Tamar”, i cili ndodhet pranë ndërtesës së Këshillit Legjislativ, në të cilën protestuesit kishin hyrë me dhunë më 1 korrik, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart