Mijëra anglezë protestojnë kundër ndryshimeve klimatike


Gazeta Express
15 Prill 2019 13:56

Mijëra njerëz i janë bashkuar të ashtuquajturit rebelim për klimën në Londër, me ç’rast i kanë bllokuar rrugët dhe e penguar zhvillimin e tregtisë. Ata po kërkojnë që të ndërmerren masa kundër krizës ekologjike që, sipas tyre, është duke dalë nga kontrolli.

Ura “Waterloo” u bllokua për vetura dhe u shndërrua në vendqëndrim për protestuesit. Ata vendosën pemë dhe lule dhe e ndërtuan një park të vogël mbi urë.

Protesta dhe bllokada pati edhe në pjesë tjera të Londrës. Protestuesit thonë se ata do të qëndrojnë në rrugë disa ditë ose disa javë.

Laura Sorensen, një mësuese e pensionuar nga Somerseti, ishte një nga mijëra njerëzit që u mblodhën mbi urën “Waterloo”. “Jam shumë e brengosur për atë që po i ndodh planetit. Jemi në tehun e thikës dhe m’u duk e nevojshme të dal jashtë e jo vetëm të rri në kafene dhe të flas për këtë çështje”, tha ajo.

Sorensen tha se më parë nuk ka marrë pjesë në aktivitete për mbrojtjen e mjedisit, por është mësuar ta dojë natyrën nga prindërit e saj.

Kjo protestë është pjesë e fushatës botërore për mbrojtjen e mjedisit. Pritet që në ditët e ardhshme protesta të tilla të mbahen në 80 qytete të 33 shteteve në mbarë botën.

Një zëdhënës i grupit protestues tha: “Ne nuk dëshirojmë t’i pengojmë njerëzit, por dështimi i qeverisë sonë gjatë 30 vjetëve të kaluar nuk na la zgjedhje tjetër”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart