Metoda më e re, shpresë për njerëzit e paralizuar


Gazeta Express
8 Korrik 2019 14:22

Metoda më e re me anë të operacionit, që përfshin zëvendësimin e nervave, ka arritur t’ua kthejë 13 pacientëve aftësinë për lëvizje të krahëve, shkruan Dailymail, transmeton Gazeta Express.

Disa doktorë në Australi kanë arritur që me sukses të rilidhin komunikimin e trurit dhe gjymtyrëve, duke i zëvendësuar nervat e dëmtuar me nerva të rinj.

Sipas doktorëve të kësaj klinike, ky sukses është një arritje shumë e madhe në mjekësi dhe mund të jetë një revolucion në fushën e dëmtimeve të shtyllës kurrizore.

Shumica e pacientëve që i ishin nënshtruar kësaj procedure kishin humbur aftësinë e lëvizjes së gjymtyrëve duke ushtruar ndonjë sport dhe në aksidente rrugore. Pas dy viteve që i ishin nënshtruar operacionit, 13 prej tyre, tanimë janë të aftë të kryejnë shumë gjëra vetë.

“Duke iu falënderuar këtij operacioni dhe trajtimit post-operativ, tanimë pacientët tanë mund të pastrojnë dhëmbët, të shkruajnë, të vendosin make-up, të mbajnë para në dorë dhe të përdorin celularët”, tha Dr. Natash Zyl, autore e studimit. “Ne besojmë se zëvendësimi i nervave, është një metodë e re dhe shumë efektive për shërimin e paralizave, dhe shpresojmë se kjo procedurë do të fillojë të aplikohet nëpër të gjitha vendet”, shtoi ajo.

Sipas hulumtimeve, gjatë një viti ndodhin më shumë se 500.000 dëmtime të shtyllës kurrizore, duke lënë më shumë se gjysmën me paraliza të gjymtyrëve.

Gjithsesi ky studim nuk është 100% i sigurt, sepse nuk ka përfshirë shumë pjesëmarrës, dhe ka dështuar në katër nga 50 raste. Gjithashtu, shkencëtarët thonë se pacientët mund ta humbin ndjeshmërinë dhe aftësia për lëvizje mund të mos u kthehet plotësisht. /Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart