Meta: Drejtësi për masakrën më të madhe në zemër të Evropës


Gazeta Express
11 Korrik 2019 15:47

Kreu i Shtetit, Ilir Meta shkruan për masakrën e Srebrenicës.

Meta shprehet se sot në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më të madhes në zemër të Evropës, është koha jo vetëm të lutemi për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjen e patreguar që përjetuan popujt e rajonit tonë, por njëkohësisht të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi të pamëshirshëm.

“Duhet të ndërgjegjësohemi e përgjegjësohemi që bashkëjetesën etnike-fetare dhe kulturore ta ruajmë e ta forcojmë, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, në mënyrë që tragjedi të tilla t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur të historisë së rajonit tonë.

Kjo foto e qytetit të bukur të Sarajevës, ku harmonizon natyrshëm objektet e besimeve të ndryshme fetare, të shërbejë për të ecur përpara drejt të ardhmes se përbashkët në Bashkimin Europian, duke evidentuar edhe trashëgiminë historike të bashkëjetesës mes kombeve dhe popujve të rajonit tonë”, thekson ai.

Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen mbetjet e 33 viktimave të masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit.

Viktima më e re që do të varroset është Osman Cvrka. Ai ka qenë 16 vjeç kur është vrarë.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje.

Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid.

Te fundit


Kthehu lart