Mësuesi nga Kenia zgjidhet më i miri në botë, shpërblehet me 1 milion dollarë


Gazeta Express
25 Mars 2019 13:55

Peter Tabichi, mësues i shkencave natyrore në pjesën rurale të Kenias, i cili e jep pjesën më të madhe të pagës për t’i ndihmuar nxënësit e varfër, është shpallur mësuesi më i mirë në botë dhe është shpërblyer me një shumë prej 1 milion dollarësh.

Tabichi është vlerësuar lart për arritjet e tij në një shkollë me numër të madh të nxënësve në secilën klasë dhe me mungesë të librave.

Ai dëshiron që nxënësit ta kuptojnë se shkenca është rruga e duhur për të ardhmen e tyre.

Ky çmim u dha gjatë një ceremonie në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky mësues e jep 80 për qind të rrogës për t’i ndihmuar fëmijët e varfër në shkollën e fshatit Pwani, të cilët nuk mund t’i blejnë librat dhe uniformat.

“Paratë nuk janë gjithçka. Rinia e Afrikës nuk do të mbetet prapa nga pritjet e ulëta. Afrika do të përgatisë shkencëtarë, inxhinierë, udhëheqës të ndërmarrjeve, emrat e të cilëve një ditë do të jenë të famshëm në secilin kënd të botës. Edhe vajzat do të jenë pjesë e madhe e këtij tregimi”, tha ai.

Ky mësues i mposhti në garë 10 mijë mësues e mësuese nga 179 shtete. Ai thotë se nuk ka internet në shkollë dhe se duhet të shkojë në një internet kafe për t’i shkarkuar materialet që i nevojiten për mbajtjen e mësimit.

Një pjesë e madhe e nxënësve të tij udhëtojnë më shumë se gjashtë kilometra dhe nëpër rrugë të këqija për të shkuar në shkollë. Sidoqoftë, nxënësit e këtij mësuesi janë treguar të suksesshëm në garat kombëtare dhe ndërkombëtare për shkencën, përfshirë fitimin e një çmimi për kimi në Britani të Madhe, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart