Messi këshillohet të frymëzohet nga Michael Jordani për Kupën e Botës 2022 - Gazeta Express
string(74) "messi-keshillohet-te-frymezohet-nga-michael-jordani-per-kupen-e-botes-2022"

Gazeta Express

26/05/2020 15:28

Messi këshillohet të frymëzohet nga Michael Jordani për Kupën e Botës 2022

Gazeta Express

26/05/2020 15:28

Ish-bashkëlojtari i Lionel Messit në ekipin kombëtar të Argjentinës, Lucas Biglia, beson se kapiteni i Barcelonës mund ta shkruajë një histori të ngjashme me atë të Michael Jordanit në dokumentarin “The Last Dance” gjatë Kupës së Botës 2022.

Dokumentari i ESPN “The Last Dance” përcjell skuadrën e Chicago Bulls, me yllin Michael Jordan, gjatë sezonit 1997/98, në rrugëtimin për ta fituar titullin e tretë radhazi të NBA, pasi që ekipi ishte lajmëruar nga menaxherët se, pavarësisht çfarëdo suksesi, ekipi do të zhbëhej për ta nisur një rindërtim në fund të sezonit, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ndërkohë, përderisa Lionel Messi e ka grumbulluar një koleksion mbresëlënës të medaljeve falë sukseseve të tij me Barcelonën, me gjashtë Topa të Artë, argjentinasi ende po pret ta fitojë trofeun e parë të madh me Kombëtaren e Argjentinës.

Ai ka pësuar funde zhgënjyese në tentimet e tij për t’ia sjellë Kombëtares së Argjentinës një trofe prestigjioz, qoftë kjo në Kupën e Amerikës apo në Kupën e Botës. E tani atij nuk i ka mbetur edhe shumë kohë për ta realizuar këtë synim, pasi që tani po i afrohet ditëlindjes së 33-të.

Biglia beson se Messi mund të arrijë suksese mbresëlënëse gjatë Kupës së Botës “Katar 2022”, duke u frymëzuar edhe nga legjenda e Chicago Bullsave, Michael Jordan, për të arritur suksese kur ka më së shumti presion.

“Unë e përfundova dokumentarin “The Last Dance” dje, ishte i shkëlqyeshëm. Më bëri të mendoj se brenda pak vitesh, ne ndoshta mund të shohim diçka të ngjashme me fenomenin tonë, Messin”, ka thënë Biglia.

“Ne mund të mësojmë shumë gjëra për jetën e tij të përditshme. Pasi që ne e shohim atë duke u stërvitur dhe duke luajtur, por shumë gjëra ndodhin që nuk i shohim, ashtu siç i pamë në këtë dokumentar për Jordanin”.

“Skena që do të doja ta shihja në të ardhmen është ajo kur Jordan e përqafon trofeun e NBA, teksa qan. Do të doja ta shihja këtë me Messin dhe Kupën e Botës. Këtë do të doja ta shihja. E di se çfarë domethënie do të kishte për të dhe për argjentinasit”.

Përderisa Michael Jordani ka hasur edhe në kritika për ashpërsinë me të cilët u drejtohej bashkëlojtarëve të tij gjatë viteve të 90-ta, Biglia thekson se Messi ka qasje plotësisht të ndryshme.

“Ai [Messi] gjithmonë e vendos veten në pozitën tënde, jo vetëm pasi që është modest, por për të të bërë të ndihesh më rehat”, shtoi Biglia.

“Kjo e bën atë të mrekullueshëm. Nuk ka asnjë fjalë që mund ta përshkruaj atë si lojtar, por, si njeri, ai është 10, 100 herë më i mirë”.

E përkundër kritikave me të cilat Messi është përballur shkaku i mungesës së sukseseve të tija me Argjentinën, Biglia insiston se 32-vjeçari është po aq i dashur në Argjentinë, sa është në Katalonjë.

“Natyrisht që kujtimet e mira ruhen, por edhe ato të këqijat mbeten me ty gjithmonë. Pse duhet të vuajë dikush kaq shumë? Në Kupën e fundit të Botës, ta shohësh se si e goditi eliminimi, në ato raste e pyet veten: “Pse?”. Kjo qëndroi me mua për një kohë të gjatë”, tha Biglia.

“Më lëndon mua ta shoh atë duke vuajtur aq shumë dhe më bën ta pyes veten se pse duhet që ai të vuajë në atë mënyrë. I lutem Zotit që ne do të mundë ta shohim atë në Kupën e Botës të ardhshme, pas dy vjetëve”. /Gazeta Express/