Messi, i vetmi nga top pesëshja e Topit të Artë që ende po garon në Champions


Gazeta Express
18 Prill 2019 11:27

Ky sezon i Ligës së Kampionëve ka qenë mjaft habitës. Ajaxi e eliminoi Real Madridin e Juventusit, Manchester Unitedi e tronditi Paris Saint-Germainin por jo edhe Barcelonë, ndërsa Tottenhami triumfoi ndaj Manchester Cityt në mënyrë dramatike.

Megjithatë, shumë tifozë kanë mbetur edhe më të habitur nga mungesa e lojtarëve më të mirë, sipas renditjes së Topit të Artë, në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Fakti që Lionel Messi kishte mbetur vetëm i pesti në garën për Topin e Artë vitin e kaluar kishte ngjallur një debat të madh. Tani, argjentinasi konsiderohet favorit për ta fituar këtë çmim këtë vit.

Jo vetëm se Messi pritet ta fitojë Topin e Artë për të gjashtën herë – duke e lënë Cristiano Ronaldos pas vetes me pesë Topa të Artë – tifozët e kanë vërejtur që ai është i vetmi nga lojtarët e top pesëshes së Topit të Artë që është ende në garë për këtë çmim.

Luka Modrici e kishte fituar këtë çmim vitin e kaluar dhe ai u eliminua në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kur Real Madridi u trondit në “Stamford Bridge” nga Ajaxi, që fitoi me rezultat 4:1.

Cristiano Ronaldo ishte renditur i dyti në atë listë, mirëpo as ai nuk arriti të kualifikohet për fazën gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, për herë të parë që nga sezoni 2009/10. Juventusi u eliminua të martën nga kjo garë, në përballjen me Ajaxin.

I treti në garën për Topin e Artë të vitit të kaluar, Antoine Griezmann, e pati një fat të ngjashëm me Modricin dhe u eliminua në fazën e 1/8 të finales, pas përballjes me Juventusin e Ronaldos, i cili shënoi het-trik për ta mposhtur ish-rivalin e tij, sa ishte lojtar i Real Madridit.

Edhe Kylian Mbappe, i cili ishte renditur i katërti me vota për Top të Artë, u eliminua në këtë fazë, kur pësoi disfatë tronditëse nga Manchester Unitedi.

Edhe pse u rendit vetëm i pesti në këtë garë, Messi ka arritur ta dëshmojë këtë sezon se e meriton një renditje më të mirë. Deri më tani, ai i ka shënuar 45 gola dhe i ka asistuar 21 të tjera në 42 ndeshjet e këtij sezoni, duke e siguruar kështu një vend në gjysmëfinale. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart