Messi bëhet faktor në vendimin e Neymarit për të ardhmen


Gazeta Express
13 Gusht 2019 9:44

Lionel Messi është përfshirë në situatën e tensionuar me spekulimet për një transferimin të mundshëm të Neymarit. Edhe Barcelona e edhe Real Madridi po e kërkojnë me ngulm nënshkrimin e yllit të Paris Saint-Germainit.

Argjentinasi nuk dëshiron që shoku i tij të luajë për “Los Blancos” dhe e telefonoi 27-vjeçarin për ta këshilluar atë kundër arritjes së një marrëveshjeje me rivalin e Barcelonës, e duke e nxitur të kthehet në “Camp Nou”, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Marrëdhënia mes dy futbollistëve është e mrekullueshme dhe kjo është dëshmuar shpeshherë, madje edhe bashkë me Luis Suarezin. Treshja e fazës së sulmit u bënë pothuajse të pandalshëm kur luajtën bashkë.

Messi e ndien një afinitet të veçantë për ish-bashkëlojtarin e tij. Lidhja mes tyre ka arritur edhe përtej fushës së futbollit. Respektimi dhe adhurimi që kanë ata për njëri-tjetrin është absolut.

Neymari ka rrëfyer disa herë se si i ka ndihmuar atij të luaj përkrah Messit për t’u rritur si futbollist. Messi kishte bërë gjithçka që kishte mundur për ta ndalur Neymarin të largohet nga skuadra para dy vjetëve dhe që nga atëherë ka thënë plot herë se do të ishte i lumtur nëse braziliani kthehet.

Nëse kishte mbetur ndonjë dyshim se Messi e ka harruar atë, kjo gjë hidhet poshtë nga telefonta mes dy futbollistëve. Ata janë shokë dhe, pikërisht për këtë arsye, argjentinasi i kërkoi brazilianin ta injorojë interesimin e Real Madridit.

Messi është më shumë sesa vetëm kapiteni i Barcelona; mendimet dhe dëshirat e tij e luajnë një rol të madh në vendimet e klubit. Kjo u vërejt edhe te rasti i trajnerit Ernesto Valverde, i cili i shpëtoi shkarkimit për shkak të përkrahjes së Messit.

Në rastin e Neymarit, përkundër dëshirës së tij për t’u kthyer në Barcelonë, e ardhmja e tij mbetet e pasigurt. Marrëdhënia mes PSG-së dhe Barcelonës nuk është aspak e mirë dhe drejtuesit e PSG-së do të preferonin t’ia shisnin brazilianin madrilenëve.

Tifozët e zjarrtë të PSG-së ia kanë bërë të qartë klubit kërkesat e tyre: ata duan që klubi ta shesë Neymarin, po vetëm për një çmim që i përshtatet cilësisë së futbollistit.

Real Madridi nuk i ka humbur shpresat për transferimin e brazilianit, por drejtuesit e klubit janë të përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmet e Gareth Bale, James Rodriguezit dhe Mariano Diazit. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart