Mësohet se çfarë bënin në Kosovë dy serbët që u arrestuan sot për spiunazh


Gazeta Express
11 Korrik 2019 20:09

Kishin mbledhur të dhëna të serbeve në Kosovë. E dokumentet që arritën t’i sigurojnë, po tentonin t’i dërgonin në shtetin serb, raporton T7

Por, detyrën e tyre nuk arritën ta përfundojnë me sukses.

Kjo pasi që të mërkurën, policia kufitare tek Dheu i Bardhë, arrestoi  dy persona të nacionalitetit serb, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit.

KAPEN DY SPIUNË SERBË

Serbet me inicialet T.T dhe D.D, po dyshohet që dokumentet dhe të dhënat e disa zyrtarëve komunal të Kllokotit dhe Vitisë, tentuan t’i dërgojnë në shtetin serb.

E më pas, këto dokumente, t’i përdorin për qëllimet e tyre.

Burime brenda organeve të sigurisë i kanë thënë Televizionit T7, që personat e dyshuar kanë mbledhur dokumente dhe të dhëna për kryetarin e Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic.

Madje këto dokument u janë kapur në veturë dy të dyshuarve. Arrestimin e konfirmuan edhe në Policinë e Kosovës

T7 ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Nga organi i akuzës, thonë se dy të arrestuarit ishin nën urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

Sipas Prokurorisë në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të vendosë rreth masës së sigurisë për dy të pandehurit.

Ndërkohë, njohësi i fushës së sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se kalimi i dokumenteve të tilla në shtetin serb, është gjë e rrezikshme për Kosovën.

Megjithatë, sipas Ibishit, institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke e bërë punën e tyre dhe se nuk ka nevojë për panik. /Fidan Zejnullahu, T7

Te fundit


Kthehu lart