Mesazh i qartë nga Brukseli: Pa zbatim të reformave në fushën e sundimit të ligjit, nuk ka integrim në BE


Gazeta Express
19 Mars 2019 11:40

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian dhe Komiteti i Lirive Civile kanë organizuar në Bruksel një debat publik në të cilin është diskutuar për fushën e sundimit të ligjit, dhe rëndësinë e kësaj fushe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë debat gjithashtu është diskutuar edhe për sfidat me të cilat po përballen vendet të cilat pretendojnë integrim në BE, shkruan Gazeta Express.

Para se një vend të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, secili vend pretendent duhet të përmbushë të ashtuquajturat kritere të Kopenhagës, të cilat janë rregullat themelore që përcaktojnë nëse një vend ka të drejtë të bashkohet me bllokun e vendeve të BE-së, apo jo. Megjithatë, disa raste kanë treguar se këto kritere ndonjëherë paraqesin sfida të mëdha, dhe se monitorimi i tyre edhe pas anëtarësimit në BE mund të jetë një proces shumë i vështirë.

Vendet aktuale kandidate për në BE janë Shqipëria, Republika e Maqedonisë Veriore, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Kandidatët e mundshëm janë Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.

Christian Danielsson, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Komisionin Evropian, shpjegoi rolin e sundimit të ligjit, duke shtuar se është një vlerë thelbësore.

Sipas tij, shumë qytetarë kanë dëshirë për të jetuar në vende ku sundimi i ligjit është një prej vlerave kryesore.

“Ka gjithashtu një dëshirë të qytetarëve për të jetuar në vende që kanë sundim të ligjit në mesin e vlerave të tjera”, tha Danielsson.

Edhe pse ka pasur një përmirësim të ndjeshëm, ai thotë se është vërejtur ngecje.

“Shumë vende që dëshirojnë të integrohen në Bashkim Evropian janë larg arritjes së kritereve”, ka thënë Danielsson, duke treguar se që nga viti 2015 janë duke aplikuar metoda të reja për të matur progresin. Ai tregon se tani kanë rezultate të cilat janë më të krahasueshme. Sipas Danielsson këto metoda tashmë kanë siguruara transparencë më të madhe dhe është shumë e lehtë që të debatohet rreth reformave.

“Vendet kandidate duhet të tregojnë vendosmërinë e tyre për të ecur përpara në procesin e integrimit dhe pranimit në BE”, ka përfunduar Danielsson, shkruan EWB, transmeton Gazeta Express.

 Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buqicchio, i cili ka treguar se Komisioni i Venecias ka përgatitur një listë kontrolluese e cila është një metodë mjaft e vlefshme kur bëhet fjalë për shtetin dhe sundimin e ligjit.

Një nga kushtet kryesore sipas tij është pavarësia e Gjykatave Kushtetuese. Kjo pavarësi është shumë e rëndësishme për kushtetueset sepse ato duhet të bëjnë një balancë mes shumicës dhe pakicës, dhe janë të rëndësishme për mbrojtjen e sundimit të ligjit në shumicën e vendeve kandidate.

“Politikanët shpesh tundohen t’i sulmojnë këto gjykata kur nuk u pëlqejnë gjykimet”, ka thënë ai.

“Kur filluan reformat në vitet e 90-ta, ne e nënvlerësuam rëndësinë e mentalitetet, dhe menduam që gjeneratat e reja automatikisht do të përfshiheshin në linjën me rendin dhe ligjit”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ai thotë se ka nevojë për një qasje shumë të sofistikuar.

“Duhet të gjejmë një ekuilibër ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies, dhe një ekuilibër mes standardeve ndërkombëtare dhe situatës. Përveç kësaj, ne duhet të vazhdojmë të japim mbështetje për shtetet kandidate “,  ka thënë Presidenti i Komisionit të Venecias.

Në fund ai ka folur edhe për avokatët dhe prokurorët. Sipas tij të parët janë shumë të rëndësishëm sepse ata kanë nevojë për të mbrojtur ata që ndiqen gabimisht.

 “Mendoj se sundimi i ligjit duhet të jetë një element kyç për të vendosur nëse një vend do të pranohet si pjesë e BE. Nga njëra anë, BE duhet të shtyjë reformat në vendet kandidate. Nga ana tjetër, perspektiva e anëtarësimit duhet të mbetet e besueshme. Vendet kandidate duhet të reformojnë Jurisdiksionin,  jo vetëm për procesin e pranimit në BE, por edhe për përfitimet e të gjithë qytetarëve të tyre “, përfundoi Buquicchio.

Marko Kmezić nga Qendra për Studime Evropiane Juglindore, Universiteti i Grazit tha se shoqëria civile duhet të jetë një partner kyç sa i përket përmirësimit të fushës së sundimit të ligjit. Kmezic thotë se BE-ja duhet të ketë mesazhe më të qarta dhe gjithëpërfshirëse, dhe të bëj presion tek udhëheqësit politik në Ballkan.

 “Duhet të rritet presioni ndaj udhëheqësve politikë në Ballkan. Shoqëria civile duhet të jetë partneri kryesor i BE-së në sjelljen e udhëheqësve politikë në sundimin e ligjit. Parametrat duhet të përqendrohen në mungesën e demokracisë “, ka përfunduar Kmezić.

Naim Rashiti , Drejtor Ekzekutiv i Grupit të Kërkimeve të Politikave në Ballkan në Prishtinë, shpjegoi se ka një hendek në rritje midis BE dhe Ballkanit Perëndimor. Këto dallime vihen re sidomos në Kosovë, Maqedoni Veriore dhe Serbi.

“Serbia është shumë keq sa i përket lirisë së medias, sundimit të ligjit dhe nivelit të demokracisë. Ata duket se janë kthyer në periudhën e viteve 90-ta. Sa më shumë që Serbisë i hapen kapitujt, demokracia vazhdimisht përkeqësohet në terren. Ashtu si në Serbi, qeveria në Shqipëri përdor reformat edhe kundër agjendës së opozitës”, ka thënë Rashiti, trasnmeton Gazeta Express.


“Kosova ka ngecur në procesin e shtet ndërtimit, dialogut dhe procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë. Prandaj edhe reformat kanë ngecur. Kosova nuk ka liberalizim të vizave, por dialogu vazhdon, asgjë s’ka ndryshuar”, ka potencuar ai.

Sipas tij popullzimi në Ballkan nënkupton të bërit më shumë nacionalist, duke shtuar se tashmë ka edhe shenja të tensioneve në të gjithë rajonin.

“Rregullat e së drejtës duhet të zbatohen jo vetëm për Brukselin, por për të mirën e të gjithë qytetarëve. Është e qartë se pa një zbatim të prekshëm dhe reforma lidhur me sundimin e ligjit, procesi i pranimit në BE më tej nuk do të jetë i mundur. Kapitujt 23 dhe 24 janë çelësi për procesin e mëtejshëm të pranimit në BE”, ky ishte përfundimi i euro deputetëve në këtë debat publik me temën e sundimit të ligjit për procesin e pranimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart