Mes tre kandidateve, Angellova më e favorizuar për të udhëhequr me financat e Maqedonisë së Veriut


Gazeta Express
20 Gusht 2019 15:39

Kabineti qeveritar do të pësojë ndryshime të reja, me emërimin e ministres së re të Financave. Siç mëson Alsat, të tre kandidatet për këtë post janë femra, Nina Angellovska, Tatjana Shterjova si dhe guvernatorja Anita Bezhovska.

Megjithatë, në këtë garë, sic mësohet nga burime jo zyrtare, prin Nina Angellovska bashkëthemeluese dhe drejtore ekzekutive e platformës Gruper dhe presidente e Asociacionit Komercial Eletronik.

Që nga shkarkimi i Dragan Tevdovskit në qershor, me Ministrinë e Financave administrativisht ka udhëhequr zv.ministrja Shiret Elezi kurse politikat financuese janë drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev.

Fillimisht Zaev kishte propozuar për të qenë vetë edhe ministër i Financave por Antikorrupsioni kumtoi që kryeministri nuk kishte të drejtë ligjore për të mbajtur edhe post ministror, shkruan Alsat.

Nga detyra e tij si zv.ministër i Ekonomisë pritet të largohet edhe Kire Naumov për t’u bërë drejtor në Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, në vend të tij, do të jetë njëra prej dy kandidateve që mbeten nga gara për postin e financave, Tatjana Shterjova ose guvernatorja Anita Bezhovska.

Në qershor u bënë ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar. Sadulla Duraku nga ministër i Ekologjisë u vendos në postin e ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive kurse në Ekologji erdhi Naser Nuredini, Hysni Ismaili u emërua ministër i Kulturës, Trajan Dimkovski u emërua ministër i Bujqësisë dhe Goran Milevski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart