Mes paralajmërimeve për marrëveshje mes Vetëvendosjes e Nismës, Kuvendi sot provon për të 49-ën herë të konstituohet - Gazeta Express
string(115) "mes-paralajmerimeve-per-marreveshje-mes-vetevendosjes-e-nismes-kuvendi-sot-provon-per-te-49-en-here-te-konstituohet"

Lajme

Gazeta Express

19/07/2025 7:48

Mes paralajmërimeve për marrëveshje mes Vetëvendosjes e Nismës, Kuvendi sot provon për të 49-ën herë të konstituohet

Lajme

Gazeta Express

19/07/2025 7:48

Kuvendi i Kosovës për të 49-ën herë sot nga ora 11:00 do të mblidhet për të provuar që të konstituohet pas bllokadës në të cilën ka ngecur qe më shumë se pesë muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Këtë herë kjo seancë do të mbahet pas disa deklaratave optimiste nga partia e Fatmir Limajt se mund të arrihet një marrëveshje me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila mund të çojë në dhënien fund të këtij cikli të vazhdimit të seancës konstituive.

Partia e Limajt, Nisma, ka tri ulëse në Kuvend, ndërsa qe një kohë është përfolur për një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Albin Kurtit.

Një arritje të marrëveshjes mes këtyre dy subjekteve e ka paralajmëruar bashkëpartiakja e Limajt, Xhevahire Izmaku, e cila dje deklaroi se Limaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do ta arrijnë një marrëveshje në fundjavë.

Ajo mohoi se Nisma ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, një kërkesë e Nismës që mbajti peng tash e sa kohë një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Kurtit, e cila refuzoi ta japë këtë pozitë që e ka rezervuar për Albulena Haxhiun.

“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.

Po ashtu, parlamentarët sot do të mblidhen derisa afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të përfunduar konstituimin po afrohet.

Kushtetuesja përmes një aktgjykimi tha se deputetët janë të obliguar të konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik megjithëse nuk sqaroi çfarë ndodh nëse kjo nuk arrihet.

Në mes protestash nga një numër i vogël njerëzish dhe shoqërisë civile para Parlamentit, si dhe në mes thirrjesh nga partnerët e Kosovës që politikanët e zgjedhur në Kuvend t’i japin fund bllokadës dhe t’i hapin rrugë institucioneve të reja, partitë politike në Kuvend kanë këmbëngulur në qëndrimet e tyre me partinë e parë, e cila nuk ishte në gjendje të siguronte numrat për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Pasi kjo e fundit s’mori votat e nevojshme në votim të hapur, VV përmes kryesuesit Avni Dehari erdhi me idenë e një komisioni që do të zgjidhte kryeparlamentarin e ri përmes votimit të fshehtë.

Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani./Express/