“Merret gjermani 15 vjet për një hale?” Shqiptari denoncon tentativën për t’i grabitur pronën


Gazeta Express
12 Korrik 2019 22:48

Ali Muja, pronar i 5600 m 2 tokë në Rinas, tregon se si është përballur me lukuninë e personave të veshur me pushtet, për t’i marrë pronën.

Avokati i tij Baftjar Rusi, shpjegon gjithë anën ligjore, çfarë absurdi ka ndodhur në këtë rast që shoqërohet edhe me korrupsion.

Problemet kanë nisur që në vitin 2004, kur Aliut fillimisht i prishën lokalin në tokën e vet, lokal, që e kishte me leje, që në vitin 1991. Aliu e fitoi gjyqin dhe fitoi dëmshpërblim në shumën e 125 milionë lekëve.

Në vitin 2005 shefi i policisë së Rinasit në atë kohë, Safi Sadria, pa vendim gjykate apo shkresë zyrtare, prish parkimin e Ali Mujës. Në 2014-ën TIA hap një gjyq, ku kërkon që të prishet një kioskë në pronën e Aliut, me pretendimin se hyn në zonën e kufizuar. Por faktet në terren flasin ndryshe.

Ali Muja: Unë quhem Ali Muja, jam lind në Rinas dhe jam banues po në Rinas. Këtu kam 5 600 metra2 truall, me hipotekë.

Baftjar Rusi, avokat: Dosja është në Gjykatë të Lartë, rrezikohet që t’ia prishin, por ky person duke qenë se ka kaluar një traumë shumë të madhe, një shkatërrim të madh psikologjik dhe shpirtëror, është në gjendje të mund të bëjë gjithçka në emër të vetëgjyqësisë dhe të asaj që i duket se gjithçka ka marrë fund. Jam unë i befasuar, që jam një avokat që po bëj 25-26 vjet në profesion dhe më trishton kur i shikoj këto gjëra. Këto janë reminishenca që nuk duhet të ndodhin as në periudhën e mesjetës dhe jo më me një sistem gjyqësor, ligjor, që në themel ka Kushtetutën dhe zgjidhjen në bazë të fakteve dhe të ligjit të proceseve dhe mosmarrëveshjeve.

Gazetari: Kush janë këta, kanë një emër?

Ali Muja: Po këto të TIA, me ermin e TIA-s thonë, emrin e gjermanit përmendin të gjithë.

Gazetari: Koncensionari që ka marrë edhe Aeroportin e Riansit. Si e pretendojnë këtë pronë, përse duan ta marrin?

Ali Muja: Thonë zonë e kufizuar, por zonë e kufizuar është vetëm ajo që është e rrethuar. Këtu ka mbi 50 biznese. Vetëm për mua është zonë e kufizuar.

Baftjar Rusi, avokat: Atyre nuk u intereson një ndërtim që është i ligjshëm, që është që në vitin 1991. Është bërë një herë gjykimi nga vitit 1995-1996, deri në vitin 2002-2003, me policinë ndërtimore të asaj kohe me komisariatin që kanë kërkuar t’ia marrin pronën fare. Kanë kërkuar dhe ia kanë prishur një herë një bar-kafe që e ka në funksion edhe të parkimit, etj, etj. Janë marrë edhe masa ndëshkimore atëherë në atë kohë, dhe në atë lloj gjykimi, e drejta e pronësisë ka qenë e tillë që i ka takuar shtetasit Ali Muja. Kjo vërtetohet me të gjitha aktet e pronësisë, që nga origjina, regjistrimi në hipotekë, dhe kufijtë e lejimit dhe degëzimit të kësaj pasurie. Por në fakt, ata duke kërkuar që të prishet një ndërtim që është në pronën e Ali Muja, ata e kanë mbajtur 30 vite nën terror. Ashtu siç kanë nisur edhe gjyqet e mëparshme pra duke i prishur parkimin, bar-kafenë, ambientin e rojeve, duke ia bërë të bezdisshme jetën, kanë dashur t’ia zaptojnë, t’ia marrin dhe t’ia grabisin pronën në të drejtën e tij.

Ali Muja: Unë kam bërë edhe nga 3 gjyqe në ditë, në Krujë, në Durrës dhe në Tiranë vetëm për këtë objekt.

Gazetari: Unë këtu në dorë kam certifikatën e pronësisë të pronës me sipërfaqe 5 568 metër katror në pronësi të familjes Muja, por në vitin 2004 fillojnë problemet për këtë familje.

Ali Muja: Në vitin 2004 kanë filluar problemet e mija për këtë pronë, duke më prish lokalin me leje ndërtimi, këtu në këtë vend ka qenë. Dhe me vendim gjykate fitova gjyqin, 120 milionë lekë dëmshpërblim, vetëm për prishjen e lokalit. Në vitin 2005 shefi i komisariatit të Rinasit me mjete private mua më bllokoi parkingun, hapi kanal dhe s’më linte të futem në pronën time. Kjo është pronë familjare, me përpjekje shumë të mëdha, me gjyqe, e hapa parkingun. Edhe sot e gëzoj akoma. Në vitin 2006 këta të TIA deshën të më prishin edhe lokalin me arsyet, jo zonë e kufizume, jo zonë zhvillimi. Këtu ka shumë biznese, por ma kanë vënë vetëm mua, arsyeja vetëm me më grabit pronën.

Gazetari: Pretendimi i palës se familja Muja ka konfliktin e pronësisë, edhe pse e ka me hipotekë, është se prona e familjes Muja hyn në zonën e kufizuar.

Baftjar Rusi, avokat: TIA është shoqëria gjermane e huaj që ka nën administrim Aeroportin Nënë Tereza ka ngritur një padi në vitin 2006 ndaj Ali Mujas, i cili është në pronën e tij, është jashtë zonës së gjelbër dhe zonës së kufizuar, nuk është vënë asnjëherë në diskutim titulli i pronësisë. Ngre një padi, për prishjen e ndërtimit në pronën e tij.

Ali Muja: Nga viti 2006 deri në vitin 2014, i pata fitu të gjithë gjyqet është pushuar si çështje. Ma kthen Gjyaka e Lartë për në Apel, Apeli me manovrat e tyre hajdute, se skam si i quaj tjetër, manovron me ekspertë e me gjëra dhe ma nxjerrin zonë të kufizuar në vitin 2016. Lokali është mbi 300 metra katror. Ata kanë thënë 130 metra. Se ku do e ndaj unë 130 metra nuk e di. Vendim thotë, gjykate, 15 vjet, TIA, gjermani thonë këto është, me më prish një hale, do të merret gjermani 15 vjet për një hale?

Baftjar Rusi, avokat: Nuk mundet, nuk legjitimohet një shoqëri e huaj të kërkojë prishjen e një objekti, aq më tepër në pronën e vet. Nëse do të cenohej interesi i aeroportit, aty do të dilte palë shteti që ta godiste apo të hapte gjyqin. Kjo është gjykuar një herë, jemi para parimit klasik kushtetues të gjësë së gjykuar, e cila nuk ka të drejtë të ngehet më e njëjta padi për të njëjtin objekt dhe brenda të njëjtave palë.

Gazetari i “Stop” tregon me dhjetëra biznese në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit që nuk e kanë problematikën e Ali Mujas. Pra vetëm për familjen Muja kjo cilësohet zonë e kufizuar, ndërkohë që dokumentacionet zyrtare tregojnë qartë dhe pastër se zona që ka familja Muja, është zonë e shpallur në zhvillim, çka do të thotë që mund të zhvillohet me aktivitete private apo me banesa.

Ali Muja: Për mes emisionit “Stop” kërkoj vetëm drejtësi dhe të vihet e vërteta në vend.

Te fundit


Kthehu lart