Merkel na e ruan kufirin


Gazeta Express
7 Qershor 2019 11:17

Angela Merkel po e ruan kufirin, të cilin presidentët e Kosovës dhe Serbisë po duan ta ndryshojnë. Më meritori për vizitën e Ramush Haradinajt në Berlin është Hashim Thaçi me aventurën e tij të rrezikshme. Mesazhi gjerman për mosndryshim kufijsh është i rëndësishëm për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit

Imer Mushkolaj

Ramush Haradinaj theu izolimin ndërkombëtar dhe realizoi vizitë të rëndësishme në Berlin, ku u takua me kancelaren Angela Merkel. Më meritori për këtë vizitë është Hashim Thaçi, i cili me idetë e tij për ndryshim kufijsh ka alarmuar Gjermaninë dhe shtete të tjera, të cilat aventurat e tilla i konsiderojnë të rrezikshme për stabilitetin e rajonit.

Po të mos ishte droja e kufijve, Haradinaj vështirë se do ta kishte merituar pritjen në Berlin. Qeverisja e tij është larg vlerave gjermane e europiane. Rëndësinë e vizitës të së enjtes duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të Gjermanisë për t’i ruajtur kufijtë e Kosovës të vitit 2008, si garancë për stabilitet rajonal.

Vizita e Haradinajt duhet parë edhe si një mesazh i qartë për Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiqin, të cilët ende po vazhdojnë ta çojnë përpara idenë e ndryshimit të kufijve.

Gjermania ka qenë konsistente në qëndrimin e vet karshi shtetit të Kosovës në kufijtë aktualë. Vite me radhë Berlini ka qenë i drejtpërdrejtë në kërkesën që Beogradi ta njohë Kosovën e pavarur. Dhe kur qasja e Bashkimit Europian, përkatësisht Federica Mogherinit degradoi, Gjermania bashkë me Francën u aktivizuan për ta vënë dialogun në binarë. Samiti i Berlinit ishte sinjali i parë serioz në këtë drejtim, pavarësisht se nga Hashim Thaçi dhe njerëz të tij u përpoq të minohet e minimizohet. Për më tepër u vu në dilemë kontributi i Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, madje edhe në bombardimet e vitit 1999. Një qasje aspak serioze, për të mos thënë e turpshme.

* * *

Ka pasur spekulime se gjatë vizitës në Berlin, Angela Merkel do të kërkonte nga kryeministri kosovar që ta heq taksën ndaj produkteve të Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në takim është biseduar për taksën, por nuk është kërkuar në mënyrë eksplicite që ajo të hiqet.

Nëpërmjet taksës, Ramush Haradinaj e ka bllokuar vazhdimin e dialogut. Në këtë mënyrë, ka bllokuar edhe çuarjen përpara të idesë së presidentit për korrigjim kufijsh.

Berlini është qartazi kundër kësaj ideje, andaj vazhdimi i mbajtjes së taksës është në funksion të këtij qëllimi. Tekefundit, dialogun po e kushtëzon Beogradi dhe presioni duhet të orientohe mbi Aleksandër Vuçiqin.

Kosova është një çështje europiane, por nuk ka zgjidhje të problemit me Serbinë pa ndërhyrje serioze të SHBA’së. Kjo nënkupton se asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet pa pajtimin e Gjermanisë dhe SHBA’ve.

Përderisa dialogu ndërmjet Kosovës e Serbsië kishte filluar me qëllim që të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe të arrihet normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve, tash tetë vjet nuk është arritur asnjëri nga këto qëllime.

I pafuqishëm për të zgjidhur problemin, Bashkimi Europian e ka gjetur dialogun si shpëtim. Më tepër se për të gjetur zgjidhje, për ta zvarritur atë.

Duket se Gjermania e ka një plan për këtë punë dhe Hashim Thaçi vetëm sa e ka “inspiruar” që të reagojë me vendosmëri.

* * *

Pavarësisht se zyrtarë të partisë së kryeministrit po përpiqen që takimit të tij me Angela Merkelin t’i japin përmasa historike, më meritori për të është Hashim Thaçi. Po të mos ishin aventurat e tij me kufij, Ramush Haradinaj zor se do ta kishte parë veten në zyrën e kancelares.

Po të mos ishte ideja e Thaçit dhe rreziku që rajoni të destabilizohet, Merkel nuk do të kishte asnjë arsye të fortë që ta presë në zyrë Haradinajn. Mënyra e tij e qeverisjes është larg, shumë larg asaj që do të duhej të ishte në kuptimin e qeverisjes së përgjegjshme e të pakorruptuar, qeverisjes së menaxhimit të mirë të parasë publike, qeverisjes efektive, me njerëz profesionistë e jo familjarë e militantë në poste të rëndësishme, qeverisjes së zhvillimit ekonomik e jo të shpërndarjes së milionave pa dhimtë.

Vizitën e Haradinajt në Berlin as duhet himnizuar, as hiperbolizuar. Qasjen e kancelares Merkel ndaj Kosovës duhet parë si qasje të një fuqie të madhe që ka përgjegjësi për stabilitetin në rajon, që ka përgjegjësi për mirëfunksionimin e BE’së. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër konotacion është e kotë dhe joreale.

Ashtu siç është joreale të thuhet se presidentët Thaçi e Vuçiq kanë hequr dorë nga aventura e tyre. Siç është joreale të thuhet se SHBA’të mbështetin korrigjimin e kufijve. Siç është joreale të thuhet se kancelarja Merkel e ka për zemër Haradinajn.

Loja me kufijtë është e rrezikshme dhe mesazhi i Berlinit për këtë është i qartë. Se si do të përfundojë gjithë ky muhabet nuk e ka të qartë askush. Mbase vetëm Thaçi mund ta dijë se cili do të jetë kompromisi i dhimbshëm.

Te fundit


Kthehu lart