Mënyra e re e ftohjes së mëlçisë trefishon kohën e ruajtjes për transplantim


Gazeta Express
10 Shtator 2019 10:30

Shkencëtarët amerikanë kanë thënë se ftohja e thellë e mëlçisë së njeriut në -4 gradë e trefishon kohën e ruajtjes së këtij organi për transplantim në krahasim me ruajtjen e tyre në akull.

Revista “Natyre Biotechnology” raporton se kjo mënyrë e ruajtjes së këtij organi shumë të rëndësishëm e ngadalëson nivelin metabolik dhe parandalon dëmtimet.

Kjo nënkupton se mëlçia e njeriut mund të ruhet për transplantim jashtë trupit të njeriut për më shumë se një ditë. Shkencëtarët thonë se kjo mundësi do të paraqiste revolucion në transplantimin e organeve.

Hapi tjetër i hulumtuesve do të jetë vlerësimi i kohës gjatë së cilës organet e ngrira mund të funksionojnë përsëri në kafshë para se të fillojnë me procesin e testimit klinik në njerëz.

Ekipi i shkencëtarëve nga Spitali i Masaçusetsit dhe Shkolla Mjekësore e Harvardit e kishin zbatuar këtë teknologji në minj para pesë vjetësh.

Mëlçitë e vogla të minjve ishin ftohur dhe ishin furnizuar me lëndë ushqyese dhe oksigjen përmes enëve të gjakut të këtij organi.

Sidoqoftë, kalimi i zbatimit të kësaj teknologjie nga mëlçia 10-gramëshe e minjve në mëlçinë 1.5-kilogramëshe të njeriut paraqet sfidë për shkencëtarët.

Kur organet janë më të mëdha, rritet rreziku për formimin e kristaleve të akullit, të cilat mund të shkaktojnë dëmtim të qelizave dhe indeve, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart