Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, dhe Sekretari për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku, ka takuar sot në Bruksel Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Gjatë këtij takimi, Krasniqi dhe Lajçak kanë diskutuar për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, si lidere e opozitës, karshi këtij procesi të rëndësishëm për dy shtetet dhe për rajonin.
Krasniqi e ka ritheksuar se PDK, si parti shtetformuese, e mbështetë vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Emisarin Lajçak e falënderova për angazhimin e tij në këtë proces delikat dhe potencova se çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të mos e cenojë tërësinë territoriale, intergritetin dhe sovranitetin e vendit.”, tha Krasniqi.
Gjatë vizitës në Bruksel, kreu i PDK-së ka takuar edhe Zëvendës Drejtorin për Europë në Shërbimin Europian për Veprimit të Jashtëm, Marko Makovec, ku kanë diskutuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të Kosovës me Bashkimin Europian në çështjet politike, përfshirë zbatimin e MSA-së dhe rekokandimet e Raportit për Vendin.
Kreu i PDK-së ka thënë se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën është synim i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të jetë më proaktiv në këtë proces në mënyrë që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të ndodhë sa më parë.


Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...