Ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, pritën sot në një takim përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës.
Në një njoftim që ka lëshuar Ministria e Jashtme për mediat thuhet se në takim u bisedua lidhur me marrëveshjen për veprim politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës kundër pasivizimit të adresav në Medvegjë. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Prishtinë.
“Jam e lumtur dhe falënderoj shumë përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës për marrëveshjen e arritur e cila garanton se ata do të flasin me një zë dhe do të jenë unik për Medvegjën”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla.
Nga ana e tij, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se të dyja shtetet duhet të ndërmarrin një aksion diplomatik për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për gjendjen në Luginë të Preshevës, ku po tentohet përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve atje.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:
Shqiptarët e Luginës së Preshevës me veprim të përbashkët kundër pasivizimit të adresave në Medvegjë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e
Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri për Evropën
dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, pritën sot në një
takim të përbashkët në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare në
Luginën e Preshevës.
Të dy ministrat mirëpriten arritjen e marrëveshjes për veprim politik të
përbashkët të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kundër pasivizimit të
adresave në Medvegjë, e cila u nënshkrua në prani të tyre në Prishtinë.
“Jam e lumtur dhe falënderoj shumë përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
për marrëveshjen e arritur e cila garanton se ata do të flasin me një zë dhe do
të jenë unik për Medvegjën”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla.
Ajo tha se shembulli i tyre duhet të ndiqet edhe nga Prishtina e Tirana kur
janë në pyetje temat dhe interesat nacionale.
“I falënderoj kolegët nga Lugina, secilin pa dallim për durimin dhe veprimin e
mençur drejt unitetit – duke dhëne një shembull të jashtëzakonshëm edhe për ne
këtu në Kosovë, por edhe në Shqipëri – që të jemi sa më unik e të flasim
njëzëri për temat e interesit strategjik të Kosovës dhe shqiptarëve në
përgjithësi, në këtë kohë tepër delikate nëpër të cilën po kalojmë“, u shpreh
ministrja Haradinaj-Stublla, duke e ngritur si çështje urgjente shqetësimin e
përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës në lidhje me mos zbatimin e dy pikave të
Marrëveshjes së Uashingtonit, pikës 6 dhe 12., që kanë të bëjnë me njohjen e
diplomave dhe certifikatave profesionale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe
zotimit që obligon palët (Kosovën dhe Serbinë) që të angazhohen që të
identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të qëndrueshme për personat e
zhvendosur brenda vendit.
“Pra, vazhdon ende avazi i vjetër i mosnjohjes së diplomave të shqiptarëve të
Luginës së Preshevës, të cilët kanë diplomuar në Prishtinë. Prandaj, ne do ta
ngrisim zërin dhe do të kërkojmë respektimin e pikave të Marrëveshjes së
Uashingtonit”.
Nga ana e tij, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së
Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se të dyja shtetet duhet të ndërmarrin një aksion
diplomatik për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për gjendjen në Luginë
të Preshevës, ku po tentohet përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve
atje.
“Shprehim shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të
adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë
të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen
e shqiptarëve në Luginë”, u shpreh Cakaj.