Mediumi francez: Talentet e Kosovës, befasia e madhe e ardhshme në EURO 2020


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 13:59

Mediumi francez, So Foot, e ka publikuar një artikull ku e ka lavdëruar Kombëtaren e Kosovës për arritjet e saj që nga maj i vitit 2016 kur u pranua në UEFA, duke e quajtur Kosovës, për shkak të historisë dhe moshës së lojtarëve, befasinë e madhe të ardhshme të EURO 2020.

Më 17 shkurt të vitit 2008 në Prishtinë, Kosova e shpalli pavarësinë. Serbia dhe Rusia, në mesin e disa vendeve të tjera, refuzuan ta pranojnë pavarësimin e Kosovës. Sot, Republika e Kosovës njihet nga më shumë se gjysma e komunitetit ndërkombëtar, por statuti i saj mbetet i kontestuar, shkruan So Foot, transmeton Gazeta Express.

Serbia e pretendon si të vetin territorin me shumë shqiptare dhe minoritet serb dhe e kishte kundërshtuar për një kohë të gjatë anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.

Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë miqësore me leje të FIFA-s më 5 mars të vitit 2014, në ndeshjen kundër Haitit që përfundoi me barazim pa gola në Mitrovicë. Dy vjet më vonë, Federata e Kosovës u anëtarësua në UEFA dhe u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s. Kjo do të thotë se “Dardanët” tani janë duke marrë për herë të parë pjesë në një kampanjë kualifikuese për EURO.

Natyrisht, Kosova nuk u kualifikua për Kupën e Botës në Rusi, por i kishte shfaqur disa shenja të mira gjatë asaj fazë kualifikuese.

“Ne jemi skuadra më e re në botë. Ne e kemi një 16-vjeçar në ekipin e parë. Thjesht na duhet kohë”, kishte thënë trajneri, në vjeshtën e vitit 2016.

Tre vjet më vonë, fjalët e Albert Bunjakit kanë rezultuar të sakta. Ai nuk është më trajneri, por Kosova është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në EURO 2020.

Për ta prerë biletën për EURO 2020, Kosovës i mbeten dy rrugë. Për ta siguruar një vend përmes grupeve, duhet t’i marrin katër pikë nga dy ndeshjet e radhës – kundër Çekisë dhe Anglisë. Ndërsa, rrugën tjetër e kanë përmes Ligës së Kombeve, me ndeshjet që zhvillohen në mars.

Skenari i parë nuk është utopik. Shtatorin e kaluar, Kosova e mposhti Çekinë me rezultat 2:1 në Prishtinë, tre ditë para se të humbisnin me nder (5:3) kundër Anglisë. E gjitha kjo ndodhi përderisa ata i kishin shumë lojtarë të lënduar: Milot Rashicën, Arbër Zenelin, Herolind Shalën, Hekuran Kryeziun e Benjamin Kolollit.

“Më munguan pesë titullarë, pesë lojtarë që me të vërtetë janë titullarë”, tha Bernard Challandes pas fitores kundër Çekisë.

Që kur është emëruar trajner në mars të vitit 2018 deir në disfatën kundër Anglisë, trajneri zviceran i Kosovës mbeti i pamposhtur për një vit e gjysmë.

Fuqia e Kosovës? Pasi mendohet për një kohë të gjatë, Challandes thotë: “Është mentaliteti ynë, skuadra ka guxim. Ne jemi pak të çmendur me stilin tonë të lojës” – Zakonisht me posedim të topit, me një dhjetësh të vërtetë (Bersant Celina), nëntësh të rremë (Milot Rashica) dhe një qendërsulmues (Milot Rashica).

Këtë sezon, dy kosovarë i kanë thyer pritjet me klubet e tyre përkatëse: Milot Rashica është vendimtar për Werder Bremenin dhe Vedat Muriqi për Fenerbahcen. Mirëpo, Dardanët e kanë një goditje të madhe për ndeshjet e radhës: Muriqi.

Muriqi do të kishte qenë shumë i rëndësishëm në ndeshjen kundër Çekisë për shkak të prezencës fizike të tij. Pa të, Kosova e ka dobësi gjatësinë në skuadër dhe mund ta gjejë veten të humbur para lojtarët të fuqishëm çekë, si Tomas Soucek. Trajneri zviceran mund të vendosë të luajë me Atdhe Nuhiun për shkak të gjatësisë së tij, mirëpo ai nuk i ka cilësitë e njëjta të tjera me Muriqin. Lajmi i mirë për Kosovën është se edhe Çekisë i mungon lojtari më i mirë në sulm, Patrik Schick.

Në vitin 2019, Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2020, qindra miliona njerëz do ta shikojnë Kampionatin Evropian. Shumë njerëz mund ta vendosin Kosovën në hartën e botës nëse “Dardanët” kualifikohen. Dhe kur një Kombëtare përfaqësohet në Evropian, vendi i tyre ekziston përmes futbollit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart