Mediumi çek: Huliganët kosovarë kërkonin hakmarrje në Çeki


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 15:50

Pasi disa tifozë çekë kishin planifikuar ta ngrinin një pankartë “Kosova është Serbi” me dron në Prishtinë, mediumi çek Expres.cz shkruan se tifozët kosovarë, që i quan “huliganë”, planifikonin të hakmerreshin mbrëmë, përkundër që “Dardanët” s’e shkaktuan asnjë problem në Pilsen.

Para dy vjetëve, kur Sparta Prague kishte luajtur në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës kundër Crvena Zvezdës, tifozët çekë dhe ata serbë ishin bashkuar kundër Kosovës. Kur serbët brohorisnin “Kosova”, në anën tjetër të stadiumit çekët përgjigjeshin “është Serbi”, ndërsa një pjesë e të pranishmëve në stadium duartrokiste, transmeton Gazeta Express.

Këtë shtator, kur Republika Çeke luajti në Prishtinë të Kosovës, policia i arrestoi tetë qytetas çekë – gjashtë burra dhe dy gra – para ndeshjes. Policia e kishte gjetur një dron, një flamur serb dhe një pankarte të madhe ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

Në tentim për të shmangur situata të tilla në ndeshjen e së enjtes në Pilsen, Federata çeke vendosi t’iu shesë bileta vetëm tifozëve që kanë nënshtetësi çeke dhe në qytetin Pilsen, ku dje Kosova u mposht me rezultat 2:1 nga Çekia, pati numër të madh të policëve.

Megjithatë, incidentet nuk munguan. Një tifoz kosovar u sulmua dje në Çeki nga disa persona, ndërsa gjatë ndeshjes Amir Rrahmani dhe Arijanet Murici u ankuan se çekët bënin thirrje raciste ndaj tyre. Në anën tjetër, tifozët kosovarë ishin shembullorë dhe nuk shkaktuar incidente.

 “Që nga shtatori, tifozët e Kosovës kanë pasur diçka për t’ua kthyer çekëve. Tifozët çekë provokuan në Kosovë me një flamur ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Huliganët e Kosovës mezi prisnin të hakmerreshin. Baza kryesore e huliganëve të Kosovës shkuan në Pilsen dhe kundër tyre ishin huliganët çekë”, shkruan Expres.cz.

“Policia kishte pritur probleme dhe për këtë arsye e kishte ngritur numrin e policëve nëpër qytet, për t’i siguruar qytetarët. Në Rrugën Roosevelt u përplasën një grup i tifozëve çekë me tifozë të Kosovës, të cilët u ndanë me intervenimin e policisë”.

“Pas ndeshjes, policia nuk raportoi për asnjë përplasje tjetër mes tifozëve dhe huliganët e Kosovës u kthyen në një rrugëtim të gjatë drejt shtëpisë, duke e ditur se ëndrra për t’u kualifikuar në Evropian s’iu ishte realizuar”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një mundësi të dytë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian – përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale e pret Maqedonia, ndërsa në finale Gjeorgjia ose Bjellorusia. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart