Mediumi anglez: Kosova e frikësoi Anglinë


Gazeta Express
11 Shtator 2019 14:44

Mediumi anglez, GiveMeSport, e ka publikuar një artikull të veçantë për ndeshjen e mbrëmshme mes Anglisë dhe Kosovës, të titulluar “Pesë gjëra që i mësuam nga ndeshja Angli 5:3 Kosovë”.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5:3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë, raporton Gazeta Express.

Në mesin e pesë gjërave – “rekordi i mrekullueshëm në kualifikime”, “Ferrari në sulm, Skoda në mbrojtje”, “Anglia jashtë Wembley” dhe “Harry Kane po e ndjek rekordin e Wayne Rooneyt” – GiveMeSport e pati edhe nëntitullin “Kosova e frikësoi Anglinë”.

“Kosova e frikësoi Anglinë. Nëse do t’i ishte dhënë mundësia, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, mund të ketë preferuar që skuadra e tij të shënonte në minutën e 90-të, në vend të asaj të parës”, shkruan GiveMeSport.

“Një tronditje, edhe pse nuk zgjati shumë, erdhi kur mysafirët e befasuan Anglinë duke shënuar pas vetëm 34 sekondave lojë”.

“Ky nuk ishte si momenti i Stuart Pearce kundër San Marinos në vitin 1983, por nuk ishte shumë larg asaj në momentin kur Michael Keane e lejoi Vedat Muriqin ta vjedhë topin dhe ta asistojë golin e Valon Berishës, ende para se disa tifozë të arrinin të uleshin në vendet e tyre në stadium”.

“Por, nëse ekziston diçka si të shënosh gol shumë herë, atëherë ky ishte rasti për Kosovën, ecuria mbresëlënëse prej 15 ndeshjeve pa disfatë e të cilëve mori fund. Por, ata nuk mund ta përballonin cilësinë e kundërshtarit që e kishin para vetes dhe gjërat ndryshuan për të keq shumë shpejt në pjesën e parë”.

“Kosova e ktheu një pjesë të krenarisë gjatë pjesës së dytë, me ndihmën e disa gabimeve të nikoqirëve. Të paktën ata ia dhanë ushtrisë së tifozëve të vet një arsye për të festuar”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart