Turku Selami Simsek, i cili u arrestua pak muaj më parë në aeroportin e Rinasit nga autoritetet shqiptare, pasi njihet si mbështetës i Fetullah Gylen, ka kërkuar azil politik në Shqipëri. Simsek pretendon se i rrezikohet jeta në Turqi. Ai thotë se shteti turk e konsideron si gylenist.
“Këtë kërkesë e paraqes pranë zyrës së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, që të fillojë procedura në emrin tim sa më shpejt të jetë e mundur, për azil. Këtë kërkesë e paraqes për shkak se në Turqi, shteti mendon që unë jam anëtar i Lëvizjes Gulen, dhe mendoj se atje mund t’i nënshtrohem veprimeve keqtrajtuese”, shkruan Simsek, në letrën drejtuar autoriteteve shqiptare.
Selami Simsek, u arrestua në Rinas nga autoritetet shqiptare 5 muaj më parë së bashku me mësuesin turk Harun Çelik, ky i fundit tashmë i deportuar nga Shqipëria. Simsek njihet si mbështetës i Fetullah Gylen dhe dyshohet se ka kërkuar azil politik në Shqipëri, duke ndjekur të njëjtën procedurë si miku i tij.
Dosja.al raportoi ekskluzivisht deportimin e 41-vjeçarit, Harun Çelik drejt Turqisë. Harun Çelik, u dërgua në Turqi, megjithëse ai nuk është në kërkim ndërkombëtar. Mësuesi Harun Çelik, u arrestua në muajin korrik në aeroportin e Rinasit, pasi iu gjet një vizë kanadeze, e cila pas kontrollit rezultoi se ishte e falsifikuar. Turku, u dënua nga gjykata me 5 muaj burg, dënim që Çelik, me profesion mësues e vuajti në burgun 302 në Tiranë. Disa javë më parë ai u mor dhe u dërgua direkt e për në Rinas, për t’a ekstraduar në Turqi, ndërsa policia shqiptare pohon jozyrtarisht, se ekstradimi është kryer konform procedurave duke mohuar azilin.