“Më jep një cigare dhe një gotë ujë, se unë e di që do vdes”, rrëfimi i xhaxhait për momentet e fundit të Klement Çupit - Gazeta Express
string(115) "me-jep-nje-cigare-dhe-nje-gote-uje-se-une-e-di-qe-do-vdes-rrefimi-i-xhaxhait-per-momentet-e-fundit-te-klement-cupit"

“Më jep një cigare dhe një gotë ujë, se unë e di që do vdes”, rrëfimi i xhaxhait për momentet e fundit të Klement Çupit

Gazeta Express

04/12/2019 15:46

Klement Çupi është një nga viktimat që humbi jetën si pasojë e tërmetit që tronditi vendin tonë në 26 Nëntor.

Ai nuk u dorëzua për asnjë çast, por luftoi nën rrënoja deri në minutat e fundit të jetës.

Lexo Edhe:

Edhe pse mes rrënojave dhe me dhimbje të shumta, ai vazhdonte të buzëqeshte dhe të bënte humor me forcat operacionale të shpëtimit. 

Prej vitesh, Klementi jetonte në Angli, ku punonte si shofer taksie në qytetin e Oxford-it. Ai ishte rikthyer në Shqipëri vetëm dy ditë para tërmetit tragjik. Fatkeqësisht si pasojë e tërmetit humbën jetën edhe nëna me babain e Klementit. Ai që mbijetoi ishte vëllai i tij, Micoli (i cili mban edhe emrin Aleks, pasi e ka ndryshuar atë për shkak të dokumenteve në Greqi).

I ftuar në studion e “Historia ime” ishte xhaxhai i tij, Hamza Çupi, i cili tregoi përjetimin e tij gjatë asaj nate tragjike.

Xhaxhai kujton momentet e fundit të Klementit dhe e kujton atë si një hero dhe një person që i buzëqeshi vdekjes.

“Në 10:15 djali Aleksi u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës. Me ndihmën e mjekëve sot është jashtë rrezikut për jetën. U morën me djalin e madh gjithë forcat shqiptare, erdhën edhe forcat e Reneas nga Kosova, bënë një punë jashtëzakonisht të madhe, por në pozicionin që djali kishte rënë dhe ishte zënë nga rrënojat ishte e pamundur.

Komunikonim me të, i dhamë dhe telefonin, foli me të fejuarën në Angli, foli me shokët e vet, që jam gjallë, do dal, do shpëtoj. Kishte një kurajo të paparë, sepse edhe ne që ishim jashtë në ambient dhe e kishim rrethuar banesën, nuk kishim kurajon që kishte djali. E hoqëm mendjen nga e ëma dhe i ati megjithëse nuk ishin në moshë për të ikur kaq të re, por duke parë dhimbjen e dy fëmijëve, të paktën mos u shuante si familje”.

Ata do mblidheshin për një gëzim familjar në 30 Nëntor sepse vëllai i vogël i Klementit, Aleksi, që fatmirësisht arriti të shpëtonte, do fejohej.

“Sebepi që ata kanë ardhur, si djali i vogël nga Greqia dhe Klementi, kishte ardhur për fejesën e vëllait, për një ceremoni familjare, por ajo nuk u arrit të bëhej sepse tragjedia ua këputi në mes. Në 30 Nëntor për të bërë një festë familjare, për fejesën e djalit të vogël”.

Për familjen, dhimbja është e madhe dhe trauma e përjetuar i shoqëron ende.

“Klementi emigroi si gjithë të rinjtë shqiptarë, por sa herë që kthehej sikur ishte në Greqi, sikur në Angli ai vinte na përshëndeste. Dhe në Angli ka një respekt të veçantë për të, si nga shqiptarët, si nga anglezët ku ka punuar në kompani të ndryshme. Ishte njeri i qeshur, i vullnetshëm, i gatshëm për çdo gjë, i papërtueshëm. Këtë e tregoi dhe në fund, sepse edhe një hero që bie në luftë, të presësh vdekjen me buzëqeshje. Sepse dhe fjalët e fundit që i ka thënë kosovarit: Më jep një cigare dhe një gotë ujë, se unë e di që do vdes. Kjo ishte diçka që na është fiksuar dhe është shumë e vështirë ta largojmë nga mendja. Diçka e paimagjinueshme, të shikosh se je duke vdekur dhe të buzëqeshësh vetëm shpirti dhe zemra e tij e ka bërë, kishte një zemër të paparë”.

“Sikur të të ikë dhe një gisht dore është dhembshuri, jo të të ikin 3 pjesëtarë të familjes. Tani ne na mungon gjithçka, se jemi akoma të traumatizuar. Unë akoma kur mbyll sytë shoh film pa zë, figurat i kam të tre të kufomave para syve. Kam marrë mjekim, për t’u qetësuar se ishte tepër problem”.