Një studim i ri ka konfirmuar një stereotip të vjetër: gratë, në përgjithësi, preferojnë meshkuj me penis më të madh.
Studiues nga Universiteti i Australisë Perëndimore u treguan pjesëmarrësve meshkuj dhe femra figura mashkullore të krijuara në kompjuter, të cilat ndryshonin për nga madhësia e penisit, gjatësia dhe forma e trupit.
Grave iu kërkua të vlerësonin se cilat figura i konsideronin më tërheqëse, ndërsa burrave iu kërkua të tregonin cilat figura i perceptonin si më kërcënuese.
Rezultatet treguan se figura mashkullore më e gjatë, me trup në formë V dhe me penis më të madh, u vlerësua si më tërheqësja nga gratë dhe, njëkohësisht, si më intimiduesja nga burrat.
“Gjetja më e rëndësishme e studimit tonë është se madhësia e penisit ndikon në mënyrën se si meshkujt vlerësojnë aftësinë luftarake të një rivali,” shpjegojnë studiuesit.
“Meshkujt ndiheshin më të kërcënuar kur imagjinonin përballjen me një rival me penis të madh. Kjo sugjeron se ata janë më pak të prirur të nisin një konflikt agresiv në një situatë të tillë.”
Prej vitesh, shkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë pse penisi i njeriut është dukshëm më i madh, në raport me trupin, krahasuar me primatët e tjerë. Për shembull, gjatësia mesatare e penisit njerëzor në ereksion është rreth 13 cm, ndërsa te shimpanzetë dhe bonobot arrin vetëm rreth 8 cm. Orangutani ka një penis rreth 8.5 cm, ndërsa gorilla vetëm rreth 3 cm.
Në këtë studim, të publikuar në revistën shkencore PLOS Biology, studiuesit synuan të shpjegonin arsyet e kësaj diference. Sipas tyre, përzgjedhja seksuale – përmes preferencave të femrave dhe konkurrencës mes meshkujve – është një faktor i mundshëm, por i vështirë për t’u vërtetuar për shkak të ndërthurjes së tipareve fizike.
Në studim morën pjesë 800 persona (600 meshkuj dhe 200 femra), të cilët vlerësuan 343 figura mashkullore të krijuara në kompjuter. Figurat u modifikuan sipas tre kritereve: gjatësisë, formës së trupit dhe madhësisë së penisit.
Rezultatet treguan se gratë i konsideronin më tërheqëse figurat mashkullore më të gjata, me trup në formë V dhe me penis më të madh. Ndërkohë, meshkujt i perceptonin të njëjtat figura si më kërcënuese, si rivalë seksualë dhe si kundërshtarë në përplasje fizike.
“Një penis më i madh rrit atraktivitetin e mashkullit për femrat dhe njëkohësisht shërben si sinjal i aftësisë për përballje mes meshkujve,” theksojnë studiuesit.
Arsyeja pse meshkujt ndihen më të intimiduar nga rivalë me penis më të madh nuk është plotësisht e qartë. Megjithatë, studiuesit paraqesin dy hipoteza kryesore.
Së pari, madhësia më e madhe e penisit mund të lidhet me nivele më të larta testosteroni. Ky hormon ndikon në zhvillimin e penisit gjatë pubertetit dhe, te meshkujt e rritur, lidhet me masë muskulore më të madhe, agresivitet më të lartë dhe aftësi konkurruese më të forta.
Së dyti, gjatësia e penisit në gjendje të lirë (jo në ereksion) mund të shërbejë si tregues i gjendjes fiziologjike dhe psikologjike të mashkullit. Studiuesit shpjegojnë se nën stres ose ankth, adrenalina ridrejton qarkullimin e gjakut larg organeve gjenitale, duke e shkurtuar përkohësisht penisin.
“Kjo do të thotë se një penis më i gjatë në gjendje të lirë mund të interpretohet si shenjë vetëbesimi, niveli më të ulët stresi dhe mungesë perceptimi të kërcënimit,” përfundojnë ata. /GazetaExpress/