Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes Xhaka vs Rashica në “Fadil Vokrri”


Gazeta Express
15 Qershor 2019 20:46

Janë mbyllur 45 minutat e parë të ndeshjes mes skuadrës së Granit Xhakës dhe asaj të Milot Rashicës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Skuadra e Xhakës e mbylli pjesën e parë me fitore 2:1.

Shumë prej yjeve shqiptare – jo vetëm të botës së futbollit – u shfaqën sot në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku po e luajnë një ndeshje futbollit bamirësie për dhjetë familje nevojtare, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Rashicës e nisi këtë ndeshje më mirë, pasi iu nevojitën vetëm pesë minuta për ta zhbllokuar rezultatin. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani, u tregua i saktë para portës, pasi topi iu kthye te këmbët nga shtylla që e goditi Rashica.

Megjithatë, skuadra e Xhakës nuk u dorëzua dhe arriti ta përmbysë rezultatin gjatë pjesës në vazhdim, kur shënuan ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, dhe basketbollisti Dardan Berisha.

Një moment mjaft i veçantë i kësaj ndeshjeje ishte rreth minutës së dhjetë, kur u ndal loja për nder të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit. Djali i tij, Gramosi, u duk mjaft i emocionuar në fushë.

Spektakël dhuroi edhe gjyqtari Genc Nuza, i cili e ndëshkoi me karton të verdhë kapitenin Rashica, i cili u përgjigj duke qeshur.

Skuadra e Xhakës e kishte trajner Afrim Tovërlanin, ndërsa asistent Shpend Ahmetin. Në këtë skuadër, përveç Xhakës, ishin edhe Fatos Sinani, Armend Thaqi, Blerim Rrustemi, Debatik Curri, Arben Zhjeqi, Muharrem Sahiti, Berat Buzhala, Gramos Vokrri, Enis Fetahu, Dukagjin Lipa, Margim Mavraj, Ragip Xhaka, Adrian Berisha dhe Dardan Berisha.

Ndërsa, trajner i skuadrës së Rashicës ishte Ismet Munishi dhe asistent Meda. Në këtë skuadër, si futbollistë ishin: Visar Bekaj, Ermir Lenjani, Milaim Humolli, Armend Dallku, Eroll Salihu, Shefki Kuqi, Ledri Vula, Suad Keçi, Liridon Leci, Blero, Xhevdet Llumnica, Driton Krasniqi, Azem Ahmeti, Mirsad Rashica dhe Haxhi Krasniqi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart