Më 6 maj nga ora 19:00 në Galerinë e Fakultetit të arteve u hap ekspozita kolektive “Larg dhe afër” me artistë nga Tirana, Prishtina, Tetova, Presheva, Pogradeci e vende tjera.
Ekspozita që erdhi si bashkëpunim mes artisteve të trevave shqiptare kishte nisur fillimisht rrugëtimin në vitin 2018 në Galerinë e Universitetit të Arteve, në Tiranë, me artistë pjesëmarrës nga Presheva, Medvegja e Bujanovci. Edicioni pasues pastaj mblodhi më shumë artistë shqiptar të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme, për t’i takuar në Galerinë e Arteve në Prishtinë.
Ekspozita e kuruar nga Ilir Kaso, ka mbledhur gjithsej 15 artistë me 15 punime të prezantuara para publikut.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj poashtu mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të dytë të ekspozitës “Larg dhe Afër”.
Ambasadori përgëzoi kuratorin Ilir Kaso, Irzeme Mulliqi si dhe stafin drejtues të Galerisë dhe Fakultetit të Arteve për organizimin e kësaj nisme frymëzuese. Gjithashtu ambasadori nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë për të forcuar lidhjen dhe bashkëpunimin mes vendeve tona edhe përmes artit dhe kulturës — jo vetëm në këtë projekt, por edhe në bashkëpunime të tjera të ardhshme.
Në anën tjetër i lumtur u shpreh edhe kuratori Ilir Kaso për këtë bashkëpunim mes artisteve shqiptar të cilët përmes artit thyejnë kufijtë gjeografik dhe sjellin artin e tyre në një vend të përbashkët.
Ekspozita do të mbetet e hapur për publikun deri më 23 maj.