May synon ta dërgojë për herë të katërt në kuvend marrëveshjen e saj


Gazeta Express
30 Mars 2019 9:16

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, shpreson ta dërgojë përsëri në kuvend marrëveshjen e Brexitit javën e ardhshme pasi e njëjta u refuzua për herë të tretë nga ligjvënësit britanikë.

Ajo është treguar e gatshe që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme në rast se marrëveshja dështon për herë të katërt.

Pavarësisht premtimit dramatik të kryeministres që ajo do të jepte dorëheqje nëse deputetët e partisë së saj e mbështesin marrëveshjen, 344 deputetë votuan kundër saj dhe vetëm 286 e mbështetën atë.

Procesi i votimit në Dhomën e Ulët u zhvillua pikërisht në ditën kur ishte planifikuar largimi përfundimtar i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ndaj rezultatit të votimit kishte pakënaqësi në mesin e popullsisë. Mijëra njerëz u mblodhën para kuvendit për ta kërkuar relizimin e Brexitit.

Menjëherë pas humbjes në kuvend, May tha para deputetëve: “Ndërlikimet e këtij rezultati janë të mëdha. Dështimi ligjor është që Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian më 12 prill dhe kjo është vetëm pas 14 ditësh”, tha ajo.

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel javën e kaluar, nëse marrëveshja e kryeministres do të kalonte në kuvend, Brexiti do të shtyhej deri më 22 maj. Sidoqoftë, tash ajo duhet të shkojë sërish në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm, i cili do të mbahet më 10 prill, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart