Maturantët injorojnë edhe juridikun, konkurrojnë 733 kandidatë për 800 vende


Gazeta Express
14 Korrik 2019 12:30

Universiteti i Prishtinës dhe as Ministria e Arsimit s’kanë bërë kurrfarë studimi lidhur me nevojën e tregut që vetëm UP’ja të regjistrojë 800 studentë në juridik. Mirëpo, maturantët kosovarë kanë nisur të bojkotojnë drejtimet në UP që kanë prodhuar mijëra të diplomuar prej pasluftës.

Express

Edhe profesorët e Fakultetit Juridik do të mund të mbesin pa mbinormë pasi sivjet maturantët kanë vendosur të mos shkojnë në këtë drejtim aq sa kanë kërkuar në konkursin e shpallur më 4 korrik.

Fakultetit Juridik i është aprovuar kuota e 800 vendeve të reja për studentët që do të aplikojnë sivjet.

Por, në listat e publikuara për provimin pranues që do të mbahet nesër, del se në Juridik kanë konkurruar vetëm 733 kandidatë për t’u bërë studentë.

Kështu, Juridiku për studime të rregullta ka kërkuar 416 vende ndërsa kanë konkurruar 625 kandidatë.

Për studime me korrespodencë i ka hapur 250 vende ndërsa kanë konkurruar vetëm 108 kandidatë.



Express ka shkruar mbrëmë se as edhe profesorët dhe asistentët në Banka, Financa dhe Kontabilitet ka gjasa që të mbesin pa mbinorma dhe të marrin edhe nga një pagë shtesë për punën që bëjnë në Universitetin e Prishtinës. Kjo pasi interesimi i studentëve për të studiuar këtë drejtim ka rënë.

Nga 650 vende që janë hapur për studentë të rinj, vetëm 341 kandidatë kanë aplikuar. Rrjedhimisht, edhe nëse pranohen të gjithë do të mbesin edhe 309 vende tjera të lira.

Rrjedhimisht, profesorët do të mbesin pa orët shtesë të planifikuara për këtë numër të studentëve.

Prej pasluftës, pa asnjë studim të mirëfilltë, një pjesë e madhe e të rinjve ka studiuar në fushat ekonomike.

Programe të tilla përpos në UP ka edhe nëpër universitetet tjera publike dhe private. /Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart