Mata: Martiali bëri mirë që më injoroi


load
Gazeta Express
8 Nëntor 2019 10:17

Juan Mata beson se bashkëlojtari i tij, Anthony Martial, bëri mirë që e injoroi atë gjatë fitores së Manchester Unitedit me rezultat 3:0 kundër Partizanit të Beogradit, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Evropës.

“Djajtë e kuq” kishin kaluar në epërsi në përballjen në “Old Trafford” falë golit të shënuar nga Mason Greenwood pas rreth 30 minutave lojë. Por, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer po kërkonte ta dyfishonte këtë epërsi, transmeton Gazeta Express.

Ata e arritën këtë qëllim pikërisht kur topi i ra në këmbë sulmuesit francez Anthony Martial, i cili e shënoi një gol mbresëlënës.

Mesfushori spanjoll Mata kishte qenë njëri ndër lojtarët e Manchester Unitedit që e kishte kërkuar një pasim nga francezi, mirëpo Martial i injoroi atë dhe i dribloi disa mbrojtës dhe e mposhti portierin për ta shtuar epërsinë e anglezëve në 2:0.

“E kërkova pasimin gjatë gjithë aksionin! Por, natyrisht ai e mori vendimin e duhur që e shënoi vetë atë gol”, u shpreh Mata, pas ndeshjes.

“Ai është një lojtar i mrekullueshëm, e shënoi një gol të mrekullueshëm. Unë e shijoj shumë stilin e lojës së tij. Ai ta pason topin dhe shkon pozicionohet në ndonjë hapësirë. Ai lojtar i klasit botëror. Nëse është në formë të mirë, ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne”.

“Është shumë e rëndësishme për Marcus Rashfordin dhe Anthonyn, Masonin e Daniel Jamesin të shënojnë sa më shumë gola dhe që ne në mesfushë t’u ndihmojmë atyre me asiste dhe raste të krijuara”.

Rashfordi e shënoi golin e fundit në këtë fitore bindëse të Manchester Unitedit kundër Partizanit të Beogradit, dhe “Djajtë e kuq” do të tentojnë ta vazhdojmë këtë formë të mirë edhe të dielën në Premierligë, kur do të përballen me Brightonin. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart