MASHT-i nuk respektoi Udhëzimin Administrativ për tekstet alternative


Gazeta Express
19 Gusht 2019 7:20

Në shumicën e lëndëve të klasave 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11 nuk do të ketë tekste alternative përpos atyre teksteve që janë shpallur fituese.

Tekstet alternative (që i plotësojnë standardet për botim) parashihen me “Udhëzimin Administrativ për recensentët, vlerësimin dhe lejimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore”.

“Recensentët mund të propozojnë një ose më tepër dorëshkrime për botim duke siguruar burime alternative të informacionit, dhe duke iu ofruar shkollave mundësinë e zgjedhjes së lirë nga mësimdhënësit për tekstin që dëshirojnë ta përdorin”, thekson neni 9 i këtij udhëzimi. Tekstet e reja për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11 pritet të jenë në duart e nxënësve nga 1 shtatori, shkruan Koha Ditore.

Përfaqësues të shtëpive botuese dhe autorë librash thonë se MASHT-i po ua mohon të drejtën nxënësve dhe mësimdhënësve që të përzgjedhin tekstet më të përshtatshme. Kjo pasi, sipas tyre, nëse tek një tekst fitues evidentohen gabime dhe jepen vërejtje ai do të mund të zëvendësohej me tekste alternativ. MASHT-i te një pjesë e vogël e lëndëve i ka shpallur tekstet alternative, por përfaqësuesit e shtëpive botuese po ankohen se Ministria nuk po u jep asnjë informatë se a do të botohen këto tekste.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart