“S'është çështje politike"– kush dhe si po tenton t’ia kthejë Kosovës shëtitoren “Rafailoviq” në Mal të Zi - Gazeta Express
string(99) "seshte-ceshtje-politike-kush-dhe-si-po-tenton-tia-ktheje-kosoves-shetitoren-rafailoviq-ne-mal-te-zi"

“S’është çështje politike”– kush dhe si po tenton t’ia kthejë Kosovës shëtitoren “Rafailoviq” në Mal të Zi

Lajme

Liridonë Çeta

22/06/2021 18:21

Mediat malazeze kanë raportuar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë, ka ngritur padi ndaj Komunës së Budvës, përmes së cilës ka kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq”. Përveç kësaj, thuhet se Kosova po kërkon edhe kthimin e 33 mijë metrave katror tokë në Gjirin e Kamenovës. Por kur, dhe nga kush është deponuar kjo padi? Express sjell detaje lidhur me këtë rast

4 mijë e 500 metra katrorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq” mund t’i kthehen Kosovës, si pronë e saj në Budva të Malit të Zi.

Lexo Edhe:

Kjo, pasi Avokati i Shtetit i cili punon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka paditur një shtetas malazez i cili paraprakisht e kishte paditur MD-në nën pretendimin se një pjesë e pronës në shëtitoren “Rafailoviq” në Budva, është e tij.

Avokati i Shtetit, Sami Istrefi, ka treguar për Express se si kanë rrjedhur procedurat qysh prej deponimit të padisë e deri më tani.

“Në vitin 2018, ne e kemi pranuar nga një palë paditëse, një qytetar malazez. Në mesin e dhjetë personave që i ka paditur, është edhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës, me të cilën ai ka pretenduar se një pjesë e pronës tonë është e tij. Ne në bazë të dokumentacionit që posedojmë, e kemi siguru atje, jemi pronarë faktikë dhe juridikë për atë zonë. Aty janë pushimoret, kjo Rafailoviq është në territor të tyre”, ka thënë Istrefi.

“Ne kemi ushtruar të gjitha parashtresat e nevojshme, tash jemi në proces gjyqësor me “Rafailoviqin”. Janë mbajtur 3-4 seanca gjyqësore, kam qenë vetë prezent. Kam dashur t’i ndjek nga afër. Në momentin kur i kemi siguruar të gjitha provat e nevojshme, ne menjëherë kemi ushtruar padi, e kemi ushtruar të drejtën tonë, në bazë të legjislacionit të Republikës së Malit të Zi. Këtu kemi të bëjmë me komunën e Tuzit, më konkretisht është kjo pjesa e Beqiqit”, ka shtuar ai.

Istrefi tha se kjo çështje nuk ka të bëjë me raportet e Kosovës me Malin e Zi, pasi kjo është një procedurë civile dhe nuk goditet asnjë vendim politik.

“Nuk kemi të bëjmë këtu me raportet politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kjo është një procedurë civile, nuk jemi në procedurë që po goditet ndonjë vendim politik, apo i institucioneve, këtë fakt duhet ta kemi parasysh. Nuk kemi askund raporte juridikëe me ta”, ka deklaruar Istrefi.

Avokati i Shtetit deklaroi për Express se Kosova po e kërkon një të drejtë ligjore pasi është pronare faktike dhe juridike për disa parcela në Mal të Zi.

“Ne vetëm jemi duke e kërkuar të drejtën tonë ligjore pasi jemi pronarë faktikë dhe juridikë për disa parcela në Mal të Zi, gjegjësisht për disa pushimore atje. Aty është numër i madh i pronave të cilat i posedon Republika e Kosovës, e shpërndarë në disa ndërmarrje publike që kanë qenë. Kjo pjesa ku jemi ne, ka qenë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne si Avokaturë e Shtetit e mbrojmë Shtetin në gjykata dhe arbitrazh ndërkombëtar. Kudo që AKP-ja ka qenë pronare, dhe pjesë e një procedure atje, ne nuk e kemi përfaqësuar”, ka deklaruar Istrefi.

Istrefi tha se është caktuar një gjeodet i cili do ta precizojë qartë për sa metra katrorë bëhet fjalë, ku gjendet parcela dhe të gjitha detajet tjera.

“Në sallë gjyqësore është kërkuar të caktohet një gjeodet,  i cili do ta precizonte qartë, kërkesat tona se për sa metër katrorë bëhet fjalë, ku gjendet dhe të gjitha këto do t’i përcaktojë një gjeodet i licensuar nga gjykata atje”, ka deklaruar Istrefi.

Ai tha se në bazë të provave që i ka siguruar nga arkivat e institucioneve në Mal të Zi, Republika e Kosovës është pronare e asaj parcele. Bazuar në këtë, ai tha se është ushtruar padia.

“Në bazë të provave që i kemi, që i kemi siguruar te institucionet e Malit të Zi, në arkivat e tyre, komplet provat dhe faktet janë se Republika e Kosovës është pronare e asaj parcele, ne kemi ushtru padi dhe iu kemi përgjigjur padisë së palës paditëse, ky “Rafailoviqi” që na ka paditur”, ka deklaruar Istrefi.

Ndërkaq mediat malazeze kanë raportuar edhe për kërkesën e Kosovës për kthimin e 33 mijë metrave katrorë në Gjirin e Kamenovës, i cili dikur ishte vendpushimi i punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe nxënësve të Kosovës.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk heq dorë të provojë se kompania “Rekreatus” nga Prishtina është pronari i vërtetë i 33 mijë metrave katrorë, dhe jo kompania me të njëjtin emër selia e së cilës është në Budva. “Rekreaturs” është një ish-kompani sindikale nga Prishtina që kishte një vendpushim në Kamenovo dhe planifikoi të ndërtonte një të ngjashme në Ulqin. Nën rrethana të pashpjegueshme, kompania u zhvendos në Budva gjatë luftës në 1999, dhe “Atlas Group” e bleu atë në 2002 për 60 mijë euro”, ka shkruar Vijesti të hënën.

E për këtë, Istrefi deklaroi se Avokatura e Shtetit nuk është e përzier në këtë rast.

“Shumë shpejt pritet të mbahet seanca, aty do të precizohet saktë se ku është pjesa që ne si Ministri e Drejtësisë po kërkojmë, jo si Republikë e Kosovës, sepse brenda Republikës së Kosovës hyn edhe AKP-ja, ne nuk kemi të bëjmë me ta, vetëm pjesa ku Avokatura e Shtetit është palë në procedurë. Dhe kjo pritet shumë shpejtë të definohet. Ne si Ministri e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit, jemi vetëm në një çështje të caktuar në procedurë gjyqësore, jo me tjerat”, ka deklaruar Istrefi./GazetaExpress/