A iu bashkua diplomatëve në Manastirin e Deçanit për t'i bërë presion Kurtit? Ambasadori Minxhozi flet për Express - Gazeta Express
string(83) "qendrimi-i-shqiperise-per-manastirin-e-decanit-ambasadori-minxhozi-flet-per-express"

Lajme

Gazeta Express

24/05/2022 16:52

A iu bashkua diplomatëve në Manastirin e Deçanit për t’i bërë presion Kurtit? Ambasadori Minxhozi flet për Express

Lajme

Gazeta Express

24/05/2022 16:52

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, mohon se vizita e tij sot në Manastirin e Deçanit është rreshtim me shtetet e QUNT’it që po i bëjnë presion Qeverisë së Kosovës për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese që vendosi se toka përreth i takon këtij manastiri.

Në një prononcim për Gazetën Express, Minxhozi tha se kjo vizitë u bë me ftesën e igumenit Sava Janiq dhe nuk u zhvilluan biseda në drejtim të kësaj çështje, por ishte më shumë vizitë për të parë objektin.

Lexo Edhe:

“Kemi qenë në një vizitë që na ka ftuar at Sava. Jemi njohur me ata aty, kemi ngrënë një drekë dhe nuk ka qenë një bisedë e pikave që thoni ju. Nuk lexohet kështu kjo. Ka qenë një vizitë ku njerëzit kanë parë Manastirin, kanë qenë aty të gjithë bashkë dhe kanë dhënë një drekë, nuk ka qenë ndonjë rreshtim”, ka thënë Minxhozi.

Për çështjen e Manastirit të Deçanit, për të cilën katër herë shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i drejtuan Qeverisë së Kosovës (në 2 vitet e fundit), për të zbatuar vendimin e Kushtetueses, Minxhozi dha edhe qëndrimin e Qeverisë së Shqipërisë.

“Ne nuk ndërhyjmë në institucionet e ndryshme të Kosovës, apo vendimet e Qeverisë së Kosovës. Janë vendime që i marrin ato vetë, institucionet e Kosovës janë të pavarura. Qeveria ka vizionin e saj dhe ne nuk ndërhyjmë në këto çështje”.

Katër ditë pasi shtetet e QUNT’it dolën me një deklaratë të përbashkët që i kërkonin Qeverisë së Kosovës zbatimin e vendimit të Kushtetueses “që të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, trupi diplomatik në Kosovë, përfshirë edhe ambasadorin Minxhozi, shkuan në Deçan për të vizituar Manastirin e Deçanit, përmes Twitter, njoftoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

“I lumtur që iu bashkova kolegëve nga trupi diplomatik i Kosovës në një vizitë te Manastiri i bukur dhe historik i Deçanit”, ka shkruar Hovenier.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 20 maj të 2016-ës, vendosi që Manastirit të Deçanit i takojnë 24 hektarëve tokë dhe pyll pas një konteksti gjyqësor se kujt i takojnë këta hektarë, meqë ndërmarrjet shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” thoshin që prona u takonte atyre.