Kurti flet, por VV-ja nuk tregon si do t’i mbronte veteranët nga arrestimet e EULEX-it - Gazeta Express
string(81) "kurti-flet-por-vv-nuk-tregon-si-do-ti-mbronte-veteranet-nga-arrestimet-e-eulex-it"

Gazeta Express

29/09/2020 12:19

Kurti flet, por VV-ja nuk tregon si do t’i mbronte veteranët nga arrestimet e EULEX-it

Gazeta Express

29/09/2020 12:19

Albin Kurti thotë se krerët e institucioneve heshtin, kur veteranët arrestohen “në mes të Prishtinës”. Vetë thotë se do t’i mbronte ata. E, çfarë do të bënte Kurti për ta ndalur Policinë e Prokurorisë në Hagë? Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë nuk ka ndonjë përgjigje.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

“PDK nuk i mbron, se e ka hallin e pasurive të veta të paligjshme, LDK nuk i mbron, se asisoj e ka drejtimin politik”. Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur flirtin me veteranët e UÇK-së, që sipas Kurtit, është streha e atyre që luftuan.

Në një fjalim të ish-kryeministrit Albin Kurti, në fakt disa fjalimeve të tij, përsëritet se LVV-ja do t’i mbronte veteranët e UÇK-së, po të ishte në Qeveri.

Nuk është e qartë se si do të bëhej kjo mbrojtje e veteranëve, tash kur arrestimet po bëhen me fletarrestime të lëshuara nga gjykata, e krijuar me ligj të votuar në Kuvendin e Kosovës.

Si do t’i mbronte LVV-ja veteranët nga arrestimet? A i bie se do t’i pengonin fizikisht forcat e policisë së EULEX-it?

Zyra për Media e LVV-së, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express rreth deklaratës së Kurtit për mbrojtjen e veteranëve.

Partia e Kurtit ka kundërshtuar vazhdimisht misionin e EULEX-it në Kosovë. Ka përvojë edhe në rrotullimin e veturave të EULEX-it. Megjithatë, Kurti nuk ka dhënë detaje se si mendon se do t’i evitonte arrestimet.

“Unë publikisht kam thënë në parlament, se po të jetë në qeveri VETËVENDOSJE!, ne do t’i mbronim luftëtarët e UÇK-së”, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes virtuale të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Lideri i LVV-së, që ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, thotë se institucionet po heshtin e veteranët po arrestohen me polici speciale midis Prishtinës.

“…por Thaçi, bashkë me LDK-në e rrëzoi qeverinë tonë të mirë sepse ishte qeveri e mirë. Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhur keq se si askush nga qeveria e nga presidenca, pra nga institucionet tona, nuk po e çel gojën. Kur po arrestohen me polici speciale në mes të Prishtinës veteranët e luftës, krerët e institucioneve po heshtin”, tha Kurti.

Tutje, lideri i LVV-së thotë se partia e tij është e vetmja që i mbron “me sinqeritet e me zemër” veteranët e UÇK-së.

“Veteranët e luftës të cilët nuk janë përzier me korrupsion, e të cilët janë shumica, janë 99% e veteranëve, ata sot duhet ta kenë më të qartë se kurrë, se i vetmi subjekt politik që me sinqeritet e me zemër i mbron, është Lëvizja VETËVENDOSJE!”, është shprehur Kurti.

Javën e kaluar, në Prishtinë janë kryer tri arrestime nga Tribunali Special i Hagës.

Është arrestuar ish-eprori i UÇK-së në zonën operative të Llapit, Salih Mustafa, si një nga të parët që i është konfirmuar aktakuza për krime lufte.

Polciia e EULEX-it, të premten, bastisi zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas disa orësh bastisje, nxorën në pranga kreun e kësaj organizate, Hysni Gucatin. Disa orë më pas, policët e EULEX-it, në shoqëri të hetuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, arrestuan edhe nënkryetarin Nasim Haradinaj në lagjen Pejton, duke hyrë në objektin e Televizionit 7.

Dy udhëheqësit e OVL-UÇK-së u arrestuan, pasi publikuan dosje që dikush ua kishte sjellë në zyrat e tyre, e sipas veteranëve, kishin rrjedhur nga Prokuroria e Hagës. Në këto dokumente u zbuluan identitetet e viktimave, dëshmitarëve dhe të dyshuarve. /Express/