Kur do ta vendosë Albin Kurti reciprocitetin, nëse e vendos? - Gazeta Express
string(58) "kur-do-ta-vendose-albin-kurti-reciprocitetin-nese-e-vendos"

Kur do ta vendosë Albin Kurti reciprocitetin, nëse e vendos?

Lajme

Gazeta Express

14/04/2021 12:49

Qeveria Kurti nuk ka një datë për venien e reciprocitetit. Për këtë çështje, Albin Kurti njëherë u rrëzua, e u kthye në pushtet me mbi 50 për qind, me zotimin se Serbisë ia rikthen reciprocitetin. Analisja Donika Emini mendon se Kosovës nuk i konvenon që dialogu me Serbinë të mos rifillojë dhe shton se ky vendim duhet të mendohet strategjikisht. Ndërsa Astrit Gashi thotë se pavarësisht pasojave, kjo Qeveri është e obliguar ta marrë këtë vendim.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Albin Kurti pati thënë se reciprociteti me Serbinë do të ishte çështje ditësh apo javësh, e assesi çështje muajsh se kur do të vendosej pasi ai të vinte edhe njëherë në pushtet. Këto deklarata Kurti i bënte në paraqitjen e fundit publike të tij në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të 14 shkurtit. Sot, Qeveria nuk ka ende datë se kur do të vendos masa reciprociteti me fqinjin verior.

“Nuk ka një datë të caktuar, mirëpo kjo është një çështje e cila vendoset mbi parime, e më pastaj ekzekutimi i saj është çështje e planifikimit të Qeverisë sonë”, tha të mërkurën zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ai tha po ashtu se “askush nuk duhet të ndihet në siklet apo i kërcënuar nga vendosja e reciprocitetit, përfshirë këtu edhe shtetin e Serbisë”.

Kthimi i reciprocitetit mund të përdoret nga Serbia si shkak për të mos u ulur në tavolinën e bisedimeve. Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq tha se paralajamërimi për vendosjen e masave reciproke nga ana e Kosovës “është një përpjekje për t’iu adresuar Serbisë në gjuhën e ultimatumeve dhe të shantazheve”. Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk do ta lejojë këtë.

Pavarësisht kësaj, analisti politik Astrit Gashi tha për Express se Qeveria Kurti ka obligim politik që ta marrë këtë vendim. Mosvendosja e reciprocitetit, sipas tij, do të ishte dobësi e madhe për këtë Qeveri.

“Qeveria Kurti ka obligim politik që ta kthejë reciprocitetin për shkak se na kujtohet që herën e kaluar gjithë ai problem politik që ka ndodh kishte nisur për shkak të reciprocitetit. Gjithashtu, Qeveria Kurti dhe Albin Kurti e ka obligim në njëfarë forme ta vendos reciprocitetin për shkak të faktit që i gjithë aktiviteti politik i kësaj partie politike për vite me radhë ka qenë i bazuar në nevojën për masa reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, moskthimi i reciprocitetit do të ishte një dobësi e madhe për Qeverinë Kurti”, tha Gashi.

Analistja Donika Emini paralajmëron se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të rrezikohej të mos rifillonte shpejt për shkak të një vendimi të tillë. Ajo tha se Qeveria e Kosovës duhet të gjendet më mirë dhe ta definojë më qartë strategjinë e saj për dialogun me Serbinë.

“Normalisht që kjo rrezikon ta shtyejë dialogun që të mos rifillojë. Mirëpo Qeveria e Kosovës është mirë që të navigojë më mirë, të mos bëjë deklarata pompoze sa të shkaktojë reagime në Serbi, mirëpo të marrë vendime të cilat janë në funksion të përmirësimit të pozicionit negociues të Kosovës në dialog. Normalisht këtu edhe Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë të qartë se çfarë strategjie ka për dialogun dhe çfarë po dëshiron të arrijë konkretisht me reciprocitet”, tha Emini, duke përmednur tarifën 100% ndaj produkteve serbe të cilën e kishte vendosur Qeveria Haradinaj, e nga e cila tha se Kosova nuk ka përfituar asgjë duke e përdorur si mjet diplomatik në raport me Serbinë.

Astrit Gashi megjithatë beson se dialogu do të vazhdojë qoftë pa, qoftë me këto masa, të cilat beson se s’do të kenë jehonë aq të madhe negative në BE e SHBA.

“Tash sa do të ndikojë reciprociteti në dialog, kjo mbetet të shihet. Mbetet të shihet në kuptimin se çfarë presioni do të bëjë bashkësia ndërkombëtare në këtë rast. Nëse nga ajo do të ketë një presion të butë të pakënaqësisë apo do të kërkojë urgjentisht që të ndryshojë kjo. Unë jam skeptik. Unë besoj që masat reciproke në këtë rast nuk do të kenë një jehonë aq të madhe negative te vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këto masa, pa këto masa, në njëfarë forme dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë”, tha Gashi.

Duke qenë se rreziku për zvarritjen e dialogut megjithatë është ende i pranishëm, analistja Donika Emini beson se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “nëse jo reciprocitetin, do ta përdor Asociacionin për ta bllokuar procesin, sepse ashtu i konvenon atij politikisht”.

“Nuk është që do të ketë presion siç ka pasur në kohën e Trumpit dhe Grenellit ku kushtëzohet deri në atë masë Qeveria e Kosovës”, tha Emini për Express. “Nuk dihet se si do të jetë reagimi, mirëpo nga ana e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme të dijë se çfarë qëllimi ka në dialog, si do ta përdor reciprocitetin si mjet në këtë proces dhe ku do shkosh. Çdo zvarritje në proces nuk i konvenon Kosovës sa i konvenon Serbisë”, shtoi ajo.

Emini theksoi se duhet pasur strategji precize dhe se nuk mund të thuhet se çështja e dialogut nuk është urgjente. “Për Serbinë është shumë më e favorshme të zvarritet procesi sepse nuk i detyrohet komunitetit ndërkombëtar në raport me Kosovën, tha ajo.

Pika fillestare e Kurtit në dialogut me Serbinë, arsye e mundshme për ta pamundësuar rinisjen e tij

Pas fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i kishte thënë agjencisë së lajmeve AFP se dëshiron t’iu japë drejtim të ri bisedimeve me Serbinë, për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta.

Ai thoshte se Beogradi premton njohjen e Kosovës në fund të negociatave, por kërkon koncesione maksimale ndërkohë.

“Ju merrni sa më shumë që mundeni, ndërsa premtoni një fund që nuk do të ndodhë”, thoshte ai. Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, shprehej Kurti.

Sfida më e madhe e Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij është dialogu me Serbinë, ndonëse kryeministri nuk e konsideron këtë çështje prioritet të tij. Ai beson se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, ndër të cilat ai përmend menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Deklaratat e Kurtit pas zgjedhjeve se dialogu s’është prioriteti i tij i kanë shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Washington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit ka thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare.