A do të ndikojë ndërrimi eventual i pushtetit në SHBA në raport me Kosovën? Flasin analistët - Gazeta Express
string(88) "a-do-ndikoje-nderrimi-eventual-i-pushtetit-ne-shba-ne-raport-me-kosoven-flasin-analistet"

A do të ndikojë ndërrimi eventual i pushtetit në SHBA në raport me Kosovën? Flasin analistët

Gazeta Express

22/10/2020 16:04

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në prag të zgjedhjeve presidenciale 2020, kandidatë të të cilave janë Joe Biden nga radhët e Demokratëve, si dhe presidenti aktual, Donald Trump, nga kampi Republikan. Këto zgjedhje do të sigurojnë për katër vjet me radhë pozitën e presidentit, i cili përveç problemeve të brendshme të SHBA-së, do ta ketë edhe barrën e politikës së jashtme. Në vazhdën e problemeve që rrjedhin nga politika e jashtme për presidentin e ardhshëm është edhe çështja Kosovë-Serbi. Por, cila do jetë qasja e presidentit të ardhshëm të SHBA-së karshi Kosovës? Lidhur me këtë kanë folur njohës të çështjeve politike.

Shkruan: Besnik Gashi

Lexo Edhe:

Analisti i çështjeve politike, Fitim Salihu, në një prononcim për Gazetën Express ka deklaruar se fitorja e kandidatit Demokrat Biden do të duhej parë me rezerva nga kosovarët, meqë, sipas tij, fokusi i ish-nënpresidentit amerikan do të jenë problemet e brendshme, sikurse janë ekonomia, problemi i ndasive racore dhe destabilizimi i sjellë nga COVID-i.

…Por, ne nuk duhet të kemi pritshmëri të larta. Devizën “America First” nuk e ka sjellë Trump-i por kjo është një tendencë që vjen nga poshtë-lart, si kërkesë e një shoqërie që është lodhur së qeni “polici i botës” dhe mendon se është koha që të koncentrohet në problemet e veta të brendshme. E, për rrjedhojë, unë mendoj që edhe për Biden-in prioritet i qeverisjes do të jetë gjendja e brendshme në ShBA: ekonomia, COVID-i, ndasitë racore, etj.”, ka deklaruar Salihu.

Por, ndryshe nga Salihu, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka një qasje më të prerë lidhur me raportet Kosovë – SHBA. Sipas fjalëve të tij, Shtetet e Bashkuara i janë qasur problemit të Kosovës në mënyrë shtetërore, e jo partiake.

“ShBA-ja ka pasur qasje shtetërore e jo partiake në raport me Kosovën. Kosova është interes strategjik i SHBA-së. E kam përshtypjen se në Kosovë po e shohim shumë ngushtë çështjen e raportit të SHBA-së me Kosovën, duke u marrë me emra të përveçëm”, ka thënë Mushkolaj nëpërmjet një bisede telefonike për Express.

Sidoqoftë, ky i fundit ka porositur që, edhe nëse ndërrohet pushteti në Shtetet e Bashkuara, qytetarët e Kosovës të mos e shohin me pesimizëm, meqë, sipas tij, sa herë që ka ardhur puna te Kosova, Amerika si unitet ka pasur konsistencë politike. “Konsideroj se politika e jashtme e ka mbajtur një linjë të caktuar në Kosovë, pavarësisht luhatjeve të administratave të caktuara”, ka vënë në pah Mushkolaj.

Por, çfarë dihet deri më tani për kontributin e administratës Trump dhe angazhimeve politike të Joe Biden-it kundrejt Kosovës?

Raportet mes Kosovës dhe administratës së Trump-it ishin pezmatuar tej mase gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, meqë kreu i VV-së refuzonte kërkesën amerikane për heqje të plotë të taksës dhe reciprocitetit. Madje, kishte pasur paralajmërime dhe për largimin e trupave amerikane nga Bondsteel. Senatori republikan, David Perdue, kishte kërkuar tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, kërkesë kjo e cila pasonte pas kokëfortësisë të legjislaturës së gjashtë, me Albin Kurtin në krye. Një pohim të tillë e kishte mbështetur edhe i biri i të parit të SHBA-së, Donald Trump Junior, duke deklaruar përmes Twitter-it se “janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi!”.

Megjithatë, e njëjta administratë, me Donald Trump në krye dhe më ndërmjetësuesin special për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, solli marrëveshjen finale ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Washington. Falë kësaj marrëveshjeje, Kosova mori njohje diplomatike nga Izraeli, iu vitalizua pika kufitare në Merdare, si dhe u premtua studimi i fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit, liqen ky që sipas Grenell-it do të hapte vende të reja të punës.

Përpara dy ditësh, delegacioni amerikan për Liqenin e Ujmanit u takua me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, për të diskutuar studimin e fizibilitetit të menaxhimit të burimeve në Liqenin e Ujmanit.

Ndonëse, Administrata e Trump-it ende s’ka ofruar ndonjë premtim elektoral për proceset politike të Kosovës, të mbetura pezull, përpara kohës së zgjedhjeve presidenciale, demokrati Biden e ka bërë një gjë të tillë. Ai, ditë më parë, i dërgoi letër Komitetit Shqiptaro-Amerikan në Amerikë, duke thënë se do ta mbështesë dënimin e krimeve në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve, e cila respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhej në deklaratën e Bidenit, të publikuar nga Illyria Press.

Ndër të tjera, Biden përmendte edhe liberalizimin e vizave, si një premtim që duhet realizuar nga Bashkimi Evropian.

Sido që të jetë, përpjekjet e Biden-it për Kosovën e kanë gjenezën shumë më herët. Analisti Salihu rikujton kohën kur kandidati demokrat, në vitet e ’90-ta, qëkur ishte senator, tentonte të rriste ndërgjegjësimin e amerikanëve lidhur me Kosovën.

Gjatë kohës sa ka shërbyer si senator, Joe Biden-i ka qenë ndër 3-4 senatorët më të zëshëm në favor të Kosovës – së bashku me Bob Dole-in, John McCain-in dhe Joe Lieberman-in. Ai ka qenë i zëshëm në vitet në ’90 për ta rritur ndërgjegjësimin e opinionit amerikan rreth vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe ka qenë ndër promotorët kryesorë të mbështetjes amerikane më 1999 dhe 2008. Prandaj, nëse Biden-i zgjidhet president – e, me sa duket, ai është favorit – asnjëherë nuk është ulur në Zyrën Ovale një president më i afërt dhe më i familjarizuar me çështjen e Kosovës”, deklaroi Salihu për Express.

Përkitazi me këtë, mediet gjatë ditës së djeshme kanë publikuar edhe një video të birit të Joe Biden, Beau Biden, gjatë prezantimit më 2008 në Konventën Kombëtare Demokratike në Denver, përveç që tregonte marrëdhëniet e ngushta që kishte me babanë e tij, ai tregonte se në një bisedë telefonike, Joe Biden, nuk hezitonte ta quante kriminel të luftës Sllobodan Millosheviçin, të akuzuarin për krime luftës nga Tribunali i Hagës.

Deri më tani, kanë mbetur edhe dy debate presidenciale ndërmjet Biden-it dhe Trump-it deri në përfundim të fushatës së dy subjekteve politike dhe, përfundimisht, ditës së votimit. Më 3 nëntor qytetarët amerikanë do të vendosin për presidentin e tyre në 4 vjetët e ardhshëm. /Gazeta Express/