Manifesta 14 shpall datat dhe prezanton ndërhyrjet e para urbane të CRA-Carlo Ratti Associati - Gazeta Express
string(93) "manifesta-14-shpall-datat-dhe-prezanton-nderhyrjet-e-para-urbane-te-cra-carlo-ratti-associati"

Arte

Gazeta Express

25/06/2021 14:49

Manifesta 14 shpall datat dhe prezanton ndërhyrjet e para urbane të CRA-Carlo Ratti Associati

Arte

Gazeta Express

25/06/2021 14:49

Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, Manifesta ka shpallur datat e hapjes së edicionit të radhës, i cili do të organizohet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022 në Prishtinë

 Organizimi i një bienaleje gjatë një pandemie globale na shtyn të rimendojmë se kush jemi. Sot, pas më se një viti nga shpërthimi i Covid-19, ne gjendemi në një situatë urgjente të krizës ku jetët tona ndikohen nga dimensione dhe manifestimet e ndryshme; mirëqenia jonë fizike, mendore dhe shpirtërore. Kriza e tanishme nuk rrezikon vetëm institucionet, organizatat, rrjetet dhe individët, por edhe na çon drejt një shndërrimi ekologjik të dimensionit planetar. Artistët, ekologët, arkitektët dhe dizajnerët shoqërorë luajnë rol kyç për transformimin ekologjik dhe shoqëror të kohës sonë. Përbrenda edicionit të 14 të Manifestës që do të mbahet në Prishtinë, ne po përpiqemi të sjellim ndryshime të mëdha në politikat e bienales; një nga to është mbështetja dhe bashkëkrijimi i zgjidhjeve të qëndrueshme dhe relevante artistike në mënyrë që të rritet kapaciteti kreativ. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e Prishtinës dhe komunitetet artistike e qytetare për të ushqyer lidhshmërinë me natyrën dhe për ta rinuar marrëdhënien tonë me të, ndërkohë që do të bëjmë ndërgjegjësim më të madh për realitetet tona aktuale. Metodologjia e Carlo Ratti Associati, e cila përqendrohet në urbanizmin pjesëmarrës, do ta forcojë misionin e Manifesta 14 për të punuar me komunitetet me qëllim të krijimit të zgjidhjeve të qëndrueshme urbane.

Lexo Edhe:

Hedwig Fijen, Drejtoresha Themeluese e Manifestës

Tanimë janë zbuluar ndërhyrjet e para simbolike në Prishtinë që do të bëhen nga zyra e mirënjohur e dizajnit dhe novacionit CRA-Carlo Ratti Associati. Në mars 2021, CRA-ja është përzgjedhur të zbatojë vizionin urban të Manifesta 14 për Prishtinën. Vizioni urban informon mënyrën se si Manifesta 14 do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal, por edhe të hulumtoj se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet duke rimarrë hapësirën publike nga qytetarët e tij. Në konferencën për shtyp, Carlo Ratti ka folur për gjetjet fillestare nga hulumtimet e CRA-së që janë kryer gjatë tre muajve të fundit, si dhe ka dhënë vizionin për mënyrën se si do të mund të zhvillohej Qyteti i Prishtinës në të ardhmen sipas një skeme me burim të hapur.

Ekipi shumëdisiplinor i dizajnit i CRA-së, i shpërndarë në Torino, Nju-Jork dhe Prishtinë, ka propozuar një metodologji të re që përqendrohet në urbanizmin pjesëmarrës, gjë që do të provohet në Prishtinë për herë të parë. Kjo metodologji përbëhet nga tri faza të ndryshme. Faza fillestare, e cila ka ndodhur në fillim të marsit 2021, është sjellë rreth shqyrtimit të një numri të madh hartash të Prishtinës, kryesisht për t’i parë hapësirat publike të qytetit. Kjo ka ndihmuar për ndriçimin e modeleve të ndryshme hapësinore dhe shoqërore, si dhe për të shquar vende kyçe – sheshe dhe rrugë, parqe dhe hapësira të gjelbra – që tani për tani nuk përdoren mjaft ose që keqpërdoren. Gjatë verës 2021, si pjesë e fazës së dytë të projektit, këto vende do të bëhen lokacione të një vargu ndërhyrjesh të përkohshme urbane, duke sugjeruar mënyra alternative për atë se si mund të rimerret hapësira publike. Në fazën e tretë, njerëzit do të kenë mundësinë të “votojnë me këmbë”: pra, të japin komente të drejtpërdrejta mbi veprimet e dizajnit. Ky mekanizëm i reagim-vlerësimit do të kontribuojë për të kuptuar se cili intervenim duhet të ruhet dhe të konsolidohet për të ardhmen e kryeqytetit të Kosovës, kështu duke nxitur evoluimin e vazhdueshëm të qytetit.

Është çast unik për jetën urbane. Emergjenca shëndetësore e vitit të shkuar jo vetëm që  i ka bërë qytetet të panevojshme, por në fakt ka vepruar si katalizator për novacion. Kjo na mundëson të rimendojmë hamendësimet për atë se si i duam qytetet – si interpretim urban i asaj që ekonomisti Joseph Schumpeter ka quajtur “shkatërrim kreativ”. Projekti ynë për Manifesta 14 është eksperiment i provuar për herë të parë me një metodologji të re për urbanizëm me burim të hapur. Është vështirë të gjendet një laborator jetese më i mirë se Prishtinë – një kryeqytet i ri me energji të fuqishme nga baza e hierarkisë që po ndryshon marrëdhënien me hapësirën publike. Ç’është e vërteta, nuk është e mundur të dihet se cili transformim është më i miri pa e provuar fillimisht, andaj kjo është çfarë do të fillojmë të shqyrtojmë këtë verë. Ftojmë të gjithë njerëzit të ndajnë vlerësimet e tyre me ne për ndërhyrjet urbane dhe të kontribuojnë në evoluimin gjithnjë e më të hovshëm të Prishtinës.

Carlo Ratti, partner themelues në zyrën për dizajn dhe novacion të CRA-së dhe profesor në Massachusetts Institute of Technology.

Ndërhyrja e parë simbolike do të ndodhë në një hapësirë që më parë ka qenë e lënë pas dore, në Fabrikën e Tullave – i cili është lokacioni më i rëndësishëm pasindustrial i qytetit – dhe do të shndërrohet përkohësisht në një hapësirë të komunitetit. Përmes krijimit të një “dhome urbane të ndejës”, ndërhyrja ka për qëllim të nxisë debat për mënyrat se si hapësira mund të përdoret nga qytetarët e Prishtinës, si mund të bëhet e qasshme për komunitetet dhe si mund të bëhet pjesë e infrastrukturës së qytetit.

Krahas ndërhyrjes urbane në Fabrikën e Tullave, një lokacionin i dytë po ashtu do t’i nënshtrohet metodologjisë së CRA-së. Kjo do të ndodhë në ish-Librarinë Hivzi Sylejmani, një ndërtesë e fillimit të shekullit të 20-të që ka një oborr të vogël e të këndshëm, por që aktualisht është i paqasshëm, edhe pse gjendet në qendër të qytetit. Bashkë me komunitetet lokale dhe studentët nga Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës , Manifesta 14 synon t’i jep trajtë një hapësire alternative komunitare për lagjen dhe përmes këtij veprimi shpreson të tregojë se si hapësirat e braktisura publike mund të shndërrohen në vende ku mund të ndërveprojë komuniteti.

Edhe Fabrika e Tullave, edhe ish-Biblioteka do të përdoren si vendngjarje për edicionin e ardhshëm të Manifestës në vitin 2022 dhe janë pjesë e vizionit të saj për riaktivizimin dhe rimarrjen e hapësirës publike në Prishtinë.

 _

Shënime për redaktorët:

HULUMTIMI I CRA-së për ARKITEKTURËN ME BURIM TË HAPUR // Projekti për Manifesta 14 në Prishtinë shtyn para hulumtimet e CRA-së për metodologjitë me burim të hapur për procesin e dizajnimit, gjë që vazhdon tash e një dekadë. Qëllimi përfundimtar i qasjes me burim të hapur, siç thuhet edhe në manifestin e firmosur bashkërisht nga Carlo Ratti (“Open-Source Architecture”, Thames & Hudson, 2015), është të transformohet arkitektura “nga një mekanizëm i pandryshueshëm mbarimi prej lart poshtë në një sistem gjithëpërfshirës, transparent dhe ekologjik me qasje prej poshtë lart – edhe nëse prapëseprapë përfshin mekanizma prej lart poshtë”. Me kalimin e kohës, kjo qasje është përkthyer në një varg projektesh dhe ekspozitash të shumanshme të zhvilluara ndërkombëtarisht nga CRA.

DOMETHËNIA E VIZIONIT URBAN TË MANIFESTËS // Manifesta është themeluar në fillim të viteve të 90-ta si përgjigje ndaj ndryshimeve politike, ekonomike dhe shoqërore si pasojë e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Perdes së Hekurt. Nga etablimi i saj Bienale Nomade Evropiane – një rrjet gjithevropian për artet bashkëkohore që ndryshon lokacionin çdo dy vjet – kjo ngjarje gjithnjë e më shume po e forcon qasjen e saj ndërdisiplinore. Duke filluar nga edicioni i vitit 2018, Fondacioni Manifesta ka ftuar praktika ballore të dizajnit për zhvilluar edhe hulumtime para bienales, edhe plane afatgjate për identifikimin e strategjive, lokacioneve, komuniteteve dhe temave kyçe të mundshme për qytetet e përzgjedhura. Studimi urban i Manifesta 12 (2018), i zhvilluar nga OMA, është përqendruar në Palermon dhe rolin e tij si integrues kulturor. Studimi urban i Manifesta 13 (2020), i zhvilluar nga MVRDV, ka ekspolurar qytetin e Marsejës. Për Manifesta 14 në Prishtinë, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe Drejtorja e Manifestës Hedwig Fijen kanë emëruar Carlo Ratti Associati për të zhvilluar studimin urban për kryeqytetin e Kosovës.

PARTNERËT DHE BASHKËPUNUESIT // Për hulumtimin dhe hartëzimin fillestar, CRA-ja ka bashkëpunuar me Senseable City Lab të MIT, Kosovo Architecture Foundation dhe Universitetin e Prishtinës.  Për fazat e radhës të projektit do të zbatohen sinergji të tjera me organizata kulturore dhe joqeveritare të Kosovës. Paralelisht me studimin urban të CRA-së, zyra arkitekturale holandeze Studio L A do të bëjë konsultime me qytetarët lokalë. Për më shumë, instituti malazias për hulumtim Kotor APSS do të kryejë hartëzimin krahasimtar për të shqyrtuar kontekstin shoqëror dhe arkitektural në qytete të vendeve fqinje: Podgorica në Malin e Zi, Shkupi në Maqedoninë e Veriut dhe Tirana në Shqipëri.

Për Manifestën: 

Bienalja Nomade Evropiane Manifesta lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. Manifesta është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me dhe për kontekstin në të cilin zë fill. Manifesta rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar. 

Manifesta është themeluar dhe drejtohet nga historiania holandeze e artit Hedwig Fijen. Çdo edicion i ri financohet individualisht dhe menaxhohet nga një ekip i përhershëm i specialistëve ndërkombëtarë.