Liverpooli e ka dërrmuar plotësisht 5:0 Manchester Unitedin, duke ia shkaktuar njërën prej disfatave më të thella në historinë e klubit në Premierligë të dielën.
Mohamed Salah shkëlqeu duke shënuar het-trik, ndërsa Naby Keita dhe Diogo Jota shënuan nga një herë tjetër në fitoren më bindëse të skuadrës së Jurgen Kloppit ndaj Unitedit, raporton Gazeta Express.
Ishte vetëm një skuadër në fushën e Old Traffordit të dielën pasdite dhe ajo ishte Liverpooli.
Të kuqtë nuk humbi kohë dhe kaloi në epërsi në minutën e 5-të, kur Keita e mposhti David de Gean ballë për ballë, pasi u shërbye nga Salah.
Jota e dyfishoi epërsinë duke e futur topin në portën boshe nga afërsia pas një harkimi nga Trent-Alexander Arnold në minutën e 13-të, para se Salah të shënonte për 3:0 në minutën e 38-të.
Salah e shënoi të dytin personal dhe të katërtin për Liverpoolin në minutën e 45-të, duke i dhënë shumë për të menduar Ole Gunnar Solskjaerit në pushimin mes pjesëve.
Por skuadra e Kloppit e nisi pjesën e dytë aty ku e kishte lënë të parën dhe Salah e çoi epërsinë në 5:0 duke e kompletuar het-trikun në minutën e 50-të.
Kur akrepat shënonin një orë lojë, Paul Pogba u përjashtua nga loja me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Keitas.
Në gjysmë orën e mbetur, Liverpooli e shëtiti topin nëpër fushë me qejf, ndërkohë që djajtë e kuq e ndoqën atë të trullosur.
Liverpooli mbetet i pamposhtur këtë sezon në ligë dhe tani mbledh 21 pikë në vendin e dytë, vetëm një më pak se lideri Chelsea.
Manchester Unitedi, që e pësoi humbjen e tretë në ligë këtë sezon, bie në vendin e shtatë me 14 pikë./Gazeta Express/