Man Unitedi pëson disfatën më të thellë në fazën eliminatore të Championsit


Gazeta Express
17 Prill 2019 8:27

Djelmoshat e Ole Gunnar Solskjaer e shkruan llojin e gabuar të historisë me disfatën e tyre të mbrëmshme në “Camp Nou”.

Manchester Unitedi e ka thyer një rekord të klubit me disfatën me rezultat të përgjithshëm 4:0 ndaj Barcelonës, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Barcelona e mori epërsinë prej një goli në Camp Nou, pasi e kishte mposhtur Manchester Unitedin me rezultat 1:0 në “Old Trafford” javën e kaluar. Të martën, Barcelona e përfundoi këtë punë në shtëpi, duke i turpëruar mysafirët me fitore 3:0, falë edhe dy golave të shënuar nga Lionel Messi.

Barcelonës i erdhi në ndihmë edhe një gabim i madh i portierit të Manchester Unitedit, David De Geas, i cili me atë gabim bëri që “Djajtë e kuq” ta pranonin golin e dytë për atë të natë të shënuar nga Messi.

Rezultati i kësaj ndeshje bëri që Manchester Unitedit të humbë me rezultat të përgjithshëm prej katër apo më shumë golave në fazën eliminatore të garës evropiane për herë të parë në histori të klubit.

Disfatat më të mëdha të mëhershme të klubit ishin: 5:2 kundër Milanit në gjysmëfinalen e Kupës Evropiane 1957/58 dhe 4:1 kundër Atletico Madridit në 1/8 e finales së Kupës së Fituesve të Kupës 1991/92.

Rezultati i së martës e thelloi një ecuri të dobët të Manchester Unitedit në ndeshjet e fundit, pasi që klubi anglez i ka humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kjo ecuri e dobët filloi pas fitores sensacionale ndaj Paris Saint-Germainit në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Në këtë ecuri përfshihen katër disfata si mysafir – kundër Arsenalit në Premierligë, dy disfatat kundër Wolvesit në FA Cup dhe në Premierligë, si dhe ndeshja e mbrëmshme kundër Barcelonës.

Manchester Unitedi i ka humbur katër ndeshje si mysafir radhazi për herë të parë që nga tetori i vitit 1999. Vetë Solskjaer kishte luajtur për “Djajtë e kuq” në ato ndeshje para rreth 20 vjetëve.

Tani që ëndrrat për triumf në Evropë iu shuan, Manchester Unitedi do të përqendrohet që ta zë një vend në top katërshen e Premierligës. Të dielën ata do të përballen me Evertonin. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart