Man Unitedi pëson disfatë tronditëse ndaj Wolves dhe eliminohet nga FA Cup


Gazeta Express
16 Mars 2019 22:49

Manchester Unitedi është eliminuar nga FA Cup, pas disfatës tronditëse të “Djajve të kuq” ndaj Wolverhampton me rezultat 2:1, në fazën çerekfinale të Kupës së Anglisë.

Wolves ishte treguar më i rrezikshëm për të gjithë ndeshjen, megjithatë deri vonë në ndeshje ata nuk arritën të kalojnë në epërsi, raporton Gazeta Express.

Golin e parë të ndeshjes, vendasit e shënuan në minutën e 70-të, përmes Raul Jimenez, dhe gjashtë minuta më vonë ata e dyfishuan epërsinë përmes golit të shënuar nga Diogo Jota.

Në minutat shtesë të ndeshjes, Marcus Rashford e shënoi golin e vetëm të Manchester Unitedit për këtë ndeshje.

Pasi që fituesit në ndeshjet e fazës eliminatore në FA Cup vendosen vetëm përmes një ndeshjeje, tani Manchester Unitedi e ka humbur mundësinë më të mirë për ta fituar një titull këtë sezon.

Wolves tani u bashkohet tri klubeve të tjera në gjysmëfinalet e FA Cup. Tashmë janë të kualifikuar Manchester City dhe Watfordi, ndërsa gjysmëfinalisti tjetër do të vendoset nesër, në ndeshjen mes Millwall dhe Brightonit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart