Man Unitedi lë të kuptohet për të ardhmen e Pogbas dhe Lukakus


Gazeta Express
13 Qershor 2019 13:28

Mediat italiane, si Football Italia, besojnë se Romelu Lukaku do të largohet nga Manchester Unitedi këtë verë, ndërsa Paul Pogba të qëndrojë. Këto lajme janë nxitur nga postimet e fundit të klubit në llogarinë zyrtare në rrjetet sociale.

Manchester Unitedi e zyrtarizoi sot orarin e ndeshjeve për sezonin e ardhshëm, 2019/20, të Premierligës, të cilin do ta nisin me përballjen kundër Chelsean në Old Trafford, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, disa gazetarë italianë e kanë vërejtur se përderisa Pogba përfshihet në lajmërimin e tyre për ndeshjet e sezonit të ardhshëm, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për sulmuesin belg, Lukakun.

Ky lajm vjen mes spekulimeve të shumta në Itali se Interi është i interesuar ta transferojë Lukakun gjatë këtij afati kalimtar të verës. Vetë belgu kishte deklaruar më parë se ëndërron të luajë në Serie A para se të pensionohet.

Në anën tjetër, dyshim është vënë edhe mbi të ardhmen e Pogbës me “Djajtë e kuq”. Juventusi raportohet se dëshiron ta kthejë mesfushorin francez në skuadër, mirëpo Manchester Unitedi nuk duket i gatshëm ta lejojë një gjë të tillë të ndodhi.

Për orarin e ndeshjeve të Manchester Unitedit mund të lexoni këtu, ndërsa për orarin e përgjithshëm të sezonit të ardhshëm të Premierligës mund të lexoni këtu. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart