Man Unitedi e do ndëshkimin e personave që sulmuan Pogban, cakton takim me Twitterin


Gazeta Express
21 Gusht 2019 15:38

Përfaqësues të Twitter dhe Manchester Unitedit do të takohen gjatë javëve në vijim për të diskutuar për thirrjet raciste që u bënë ndaj Paul Pogbas, pasi francezi e humbi një penallti në ndeshjen kundër Wolves.

Francezi 26-vjeçar, Paul Pogba, e humbi një penallti gjatë pjesës së dytë të barazimit 1:1 të Manchester Unitedit kundër Wolves të hënën. Pas kësaj, francezi u bë lojtari i tretë brenda një javë që përballet me racizëm, transmeton Gazeta Express.

Të dielën, sulmuesi i Reading, Rakou Meite, reagoi ashpër ndaj thirrjeve raciste që u bënë drejt tij në rrjetet sociale, pasi e humbi një gjuajtje nga pika e penalltisë. Javën e kaluar, Chelsea reagoi kundër postimeve raciste në drejtim të Tammy Abraham, i cili e kishte një penallti në gjuajtjet e penalltive kundër Liverpoolit në Super Kupën e UEFA-s.

Shumë tifozë vërejtën postime me të njëjtat thirrje raciste edhe të hënën në mbrëmje, këtë herë të drejtim të Pogbas – i cili e fitoi penalltinë që s’arriti ta shndërrojë në gol – pak kohë pas përfundimit të ndeshjes në Molineux.

Disa prej këtyre postimeve  u fshinë pas pak kohe, ndërsa Twitter i suspendoi disa prej atyre llogarive – pasi që sipas rregullave të këtij rrjeti social, veprime ndërmerren ndaj llogarive që i kanë cak individët me gjuhë urrejtjeje.

Ndaj këtij incidenti reagoi menjëherë Manchester Unitedi. Klubi anglez ka kërkuar që të ndërmerren masa ndaj atyre personave dhe ka thënë se edhe vetë është duke punuar për t’i identifikuar ata persona, kundër të cilëve do t’i ndërmarrë masat më të ashpra që i ka në dispozicion.

Përderisa policia e Mançesterit ka bërë të ditur për Sky Sports se ende s’kanë filluar hetimet për këtë rast, po i njëjti medium zbuloi se Manchester Unitedi s’është duke qëndruar duarkryq.

“Gjatë javëve në vazhdim, përfaqësuesit e Twitterit do të takohen me Manchester Unitedin, Kick It Out dhe disa organizata për të folur rreth punës që Twitter po e bën për t’i adresuar këto probleme”, ka thënë një zëdhënës i Twitterit.

Në korrik, shoqata kundër racizmit “Kick It Out” raportoi se gjatë sezonit të kaluar abuzimi në baza racore u rritur për 43 për qind. 274 raste u raportuan, në krahasim me 192 të vitit paraprak. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart